Kur vjehërrit vënë dorë mbi nuset. Ja rastet më ekstreme

02/02/2015 00:00

Për fat të keq, gruaja në familjen shqiptare ende vazhdon të trajtohet si pronë, jo vetëm e bashkëshortit.

Shpesh herë, denoncimet për dhunë në familje kanë sjellë në vëmendje fenomenin e keqtrajtimit të nuseve, jo vetëm nga burrat e tyre, por nga gjithë anëtarët e familjes ku ajo është martuar.

Vetëm një javë më parë, “Pasdite të Top Channel” solli historinë e një nuseje 8-muajshe shtatzënë, nga fshati Rremas i Lushnjes, e dhunuar fizikisht nga vjehrri dhe kunati.

Por, rastet e epërsisë ndaj nuseve të djemve janë shfaqur në forma edhe më ekstreme.

– Në korrik të 2013-s, mediat raportuan rastin e një nuseje nga Korça, e cila denonconte vjehrrin 72-vjeçar Karafil Topi, se kishte abuzuar seksualisht me të.

– Prill 2014. Një 75-vjeçar nga Kruja shoqërohet në polici, pasi nusja e djalit e akuzonte atë për ushtrim dhune fizike.

– Gusht 2014, sërish në Korçë, Myzafere Ristollari, banuese në fshatin Orman, ka paditur vëllain e bashkëshortit për dhunë fizike. E dhunuara dhe dhunuesi jetonin prej kohësh nën të njëjtën çati.

– Sërish në gusht të 2014-s. “Nuk na bindet”, ishte argumentimi që dha një i moshuar dhe vajza e tij, pasi ushtruan dhunë ndaj nuses. Kjo ngjarje erdhi nga zona e Fierit.

– Nëntor 2014. 35-vjeçarja Shartoje Tala vihet në pranga, pasi dhunoi nusen e vëllait, për shkak të pakënaqësive që kishte për punët e shtëpisë. Ngjarja ndodhi në një fshat të Librazhdit.

– Dhjetor 2014. Vjehrra denoncohet në polici për dhunë sistematike ndaj nuses së djalit. Një histori që duket se përsëritet nga e kaluara, por që në fakt i përket një tjetër rasti, këtë herë nga rrethinat e kryeqytetit, në Babrru.

Top Channel