Shkëlzen Doli, shpirti i “Albanian Soul”

02/02/2015 00:00

Tingujt e violinës së tij e bënë të veçantë datën 1 janar të këtij viti për shqiptarët.

Në qendrën botërore të muzikës klasike, në Vjenë, u prezantua “shpirti shqiptar”. Kjo dhuratë e bukur, sidomos për shqiptarët, mban autorësinë e violinistit të Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli.

Elbasani është vendlindja e tij, por në Shqipëri qëndroi vetëm tre muaj. Megjithatë, ai thotë se muzika e bukur dhe këngët tradicionale të Elbasanit e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Ai u rrit në Gjakovë, ku dhe u dallua talenti i tij. Me Gjakovën e lidhin të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së tij të hershme. Qyteti, ku mësoi dhe luajti për herë të parë në violinë, është dhe sot për të një burim i pashtershëm i nostalgjisë dhe i pasionit.

Ishte dëshira e tij në moshën 9-vjeçare që të zgjidhte violinën, ndoshta pa e ditur që do të ishte instrumenti që do t’i ndërtonte atij të ardhmen. Për të mësuar më shumë, ai ndoqi shkollën e muzikës në Novi Sad, e për të perfeksionuar talentin e tij zgjodhi Universitetin për Muzikë dhe Arte Figurative, në Vjenë.

Austria u bë edhe pikënisja e një karriere të suksesshme. I edukuar nën tigujt e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, lumturia e tij më e madhe ishte kur u bë pjesë e saj. Përveç se anëtar i kësaj orkestre elitare, Shkëlzen Doli është edhe një ambasador i vlerave dhe kulturës shqiptare nëpër botë.

Top Channel