Sindikata e arsimit kundër testimit

02/02/2015 00:00

Sindikatat e arsimit kundërshtojnë testimin e mësuesve, atë të zhvilluar në muajin dhjetor dhe testin e dytë që pritet të kryhet në muajin maj dhe që sipas qeverisë do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit në vend.

Sipas sindikatave, testimi nuk është tregues i aftësimit profesional të mësuesve dhe bie në kundërshtim me ligjin i cili, siç shprehen, ata parashikon një mekanizëm të qartë për punësimin e mësuesve.

“Nga 5 mijë, 1 mijë e ca ishin në sistem dhe pjesa tjetër, rreth 3 mijë, jashtë sistemit. Për këtë kontigjent përcaktohet qartë që duhet të regjistrohen në Darza, të bëjnë praktikë profesionale, të bëjnë provim shteti e pastaj të liçencohen. Me portalin e dhjetorit anashkalohen të gjitha procedurat”, deklaroi Xhafer Dobrusha nga Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës.

Por deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini thotë se ajo çka detyroi qeverinë të ndërmerrte një vendim të tillë ishte gjendja në të cilën u gjend arsimi parauniversitar.

“Po anatemoni bazuar në proçedura, nuk keni gjë kundër testit në vetëvete. Por pse u bë ky test? Sepse arsimi ishte në një gjendje emergjence, 2 mijë mësues u gjendën jashtë profilit”, deklaroi Ulqini.

Sindikatat e Arsimit thonë se i kanë kërkuar ministrisë përkatëse që në provimin e përgjithshëm të mos futen mësues që kanë eksperiencë rreth 20-vjeçare në arsimin parauniversitar.

Top Channel