Moti i keq në Kosovë, 90 për qind e dëmeve të riparuara

02/02/2015 00:00

Erërat e forta dhe reshjet e shiut  që kanë përfshirë Kosovën nga dita e premte kanë shkaktuar dëme në në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të vendit.

Kompania që menaxhon shpërndarjen, KEDS bën të ditur se vetëm gjatë ditës së premte rreth 100 defekte u regjistruan në linjat e tensionit të mesëm, ndërsa numri i dëmeve  në nivelin e tensionit të ulët ka qenë edhe më i madh.

Në një komunikatë për shtyp bëhet e ditur se defektet janë rregulluar për 24 orë në mëse 90% të rasteve. Por në zonat malore ato janë të vazhdueshme dhe ndërhyrja shpesh është e pamundur për shkak të motit të keq dhe transportimit të pajisjeve në rrugë të bllokuara.

KEDS u ka bërë thirrje qytetarëve që të lajmërojnë dëmet, me qëllim që ndërhyrja të bëhet në një kohë sa më të shkurtër, ndërsa ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar ekipet e saj në këto ditë të vështira.

“Këtë herë, si edhe herën e kaluar kur vendi u përball me kushte të ngjashme atmosferike, rregullimi i disa dëmeve do të ishte i pamundur pa përkrahjen dhe ndihmën e qytetarëve”, thuhet në komunikatën e KEDS.

Top Channel