Orët e tmerrit të famljes së Ruzhdi Hoxhës në Darzezë

02/02/2015 00:00

Familja e Ruzhdi Hoxhës është një prej 4 familjeve që përjetuan orët e tmerrit si pasojë e përmbytjes në fshatin Darzezë. Tani ajo është strehuar rreth 30 km larg shtëpisë, në fshatin Petovë.

E përbërë nga 9 anëtarë, 6 të rritur dhe 3 fëmijë nga 2 në 5 vjeç, për 8 orë me radhë kjo familje ka qenë midis jetës dhe vdekjes. Me lot në sy anëtarët e saj tregojnë për orët e tmerrit.

“Për 10 minuta shtëpia u mbush me ujë dhe nuk dija nga të shkoja e nga t’ia mbaja. Djali theu xhamin e dritares, pastaj çau derën dhe na nxorri. Mora fëmijët me batanije dhe i nxorra menjëherë. Asgjë nuk ka shpëtuar. Ishin rreth 160 bagëti dhe nuk e di nëse ka mbijetuar ndonjë”, thotë Ruzhdi Hoxha.

“Nuk e di se ç’do të bëhet me ne. Tani rrijmë në qiell të hapur. Do vijë vëllai të na marrë”, thotë e përlotur bashkëshortja e Resmije Hoxha.

“Çava derën me duar dhe u lëndova. Tani jemi në këtë gjendje…”, tregon djali i madh i familjes, Fatjon Hoxha.

Tani të 9 pjesëtarët e kësaj familjeje kanë mbetur në qiell të hapur dhe në mëshirë të fatit.

Top Channel