Te njerëzit që jetojnë pa ujë…

02/02/2015 00:00

Rruga nacionale kthen vetëm pak minuta larg nga qyteti i Memaliajt. Kilometrat e parë janë më shumë se të drobitur nga gropat e rrëshqitjet e dukshme që ka pësuar aksi, që të drejton për në Çërril. Ai përmirësohet vetëm pas disa kilometrash. Një investim tipik shqiptar, gjysma e parë e rrugës e shkatërruar dhe gjysma tjetër, që ka marrë një investim vite më parë.

“A mund të jetohet me një rrugë të lodhur? Kur energjia elektrike ka probleme? Kur uji i pijshëm e shumë elementë të tjerë jetësorë mungojnë? Në Shqipëri, për fat të keq po”.

Përtej pamjes normale, fshati Çërril me 85 familjet e tij fsheh probleme të pafundme. Aq shumë sa banorët i nisin, por nuk dinë t’i përfundojnë. Veç rrugës, ata ngrenë çështjen e faturave të energjisë elektrike, të cilat – siç thonë – prej mëse 8 muajsh ua sjellin me mbifaturime të frikshme. Janë ankuar kudo, por po kudo kanë marrë të njëjtën përgjigje: heshtjen. E megjithatë, problemi më i madh është tjetërkund…

Në këtë ditë të ftohtë e të lagësht, banorët duhet ta quajnë veten me fat. Ndoshta shiu do ta shuajë sadopak etjen e këtij fshati. Prej mëse 20 vitesh, kjo zonë duket sikur është në Sahara, me ujin që mungon tërësisht. Në fakt, disa vite më parë u bë investimi për një ujësjellës, që ngrihet diku përtej. Sipas banorëve, me letra u hodhën mëse 33 milionë lekë, e megjithatë uji nuk u duk kurrë rubinetave të tyre. E në këto kushte, shpëtimi i vetëm janë puset…

“Me këtë pus dhe me këtë ujë mbaj 5-6 familje. Ky është ujë i pisët nga niveli i përroit, nga ujërat e zeza. S’kemi çfarë të bëjmë, e përdorim edhe për të pirë, me të keq”, thotë Neim Lika.

Janë disa dhjetëra të tillë në të gjithë fshatin…

“Po kështu janë të gjithë, disa vijnë e marrin këtu, ndërsa disa të tjerë kanë bërë si ky pus. Shumë vijnë të marrin këtu tek unë, kërkojnë dy bidona ujë që të pijnë edhe ata, bashkë me mua. Rrugëzgjidhje tjetër nuk ka, nëse nuk vjen uji”, thotë Ali Seiti.

Askush nuk di të thotë se çfarë uji del nga kjo nëntokë, cila është cilësia e tij dhe a mund të konsumohet nga njerëzit. Në këto kushte ata nuk duan t’ia dinë, zgjidhje tjetër nuk kanë.

“Ky është pusi që unë pi ujë. Fshati është mbi të, pusi është nën të. Tualetet kalojnë të gjitha poshtë. Të marrin analizat e të shikojnë se çfarë uji pijmë ne. Me këtë pijmë, me këtë gatuajmë, me këtë lajmë, s’kemi ku të vemi”, thotë Bashkim Manaj.

“Ky është uji që marrim nga rezervuari, tenxherja është larë në mëngjes, por ja si bëhet nga uji, sterrë i zi, edhe mikrobe ka plot. Unë këtë e përdor për të gatuar, shiko tenxheren ku kam hedhur fasulen për të gatuar. Këto mund t’i lash edhe tre-katër herë në ditë, se më thuaj ti, a mund të pihet ai ujë? Apo a mund të gatuhet ai ujë? Ne jemi edhe të sëmurë. Jam me 500 siklete; me tension, me zemër, me yndyrna, me gjithë ato ilaçe e gjilpëra; na u shpik kanceri”, thotë Esma Manaj.

Në krye të fshatit, rezervuari i dikurshëm duket në agoni. Prurjet e shumta të lumenjve, me gurë e baltë, e kanë mbushur tërësisht shtratin e tij. E në këto kushte, prej mëse 15 vitesh, edhe ai s’mundet të ofrojë asnjë pikëz ujë, qoftë dhe për të vaditur. Pa ujë thonë se nuk ka jetë, por banorët e këtushëm kështu duhet të jetojnë. Ndoshta kështu do të jetë më mirë edhe për politikën, edhe për shtetarët lokalë e qëndrorë. Të mësohen e të jetojnë edhe pa ujë…

“Thellësia e rezervuarit ka qenë 25 metra dhe tani që është mbushur plot, siç e shikoni, nuk ka pikë uji. Edhe ky që vjen, siç vjen nga përroi del drejtpërdrejt nga shkarkuesi. Kështu që neve nuk kemi çfarë bëjmë si fshat”, thotë Agron Manaj.

Tokat e fshatit, mëse 100 hektarë, dikur ofronin prodhime jo thjesht për banorët, por edhe për të gjithë zonën e gjerë përreth. Ndërsa sot, ato thahen për ujë, duke sjellë veç grimca e asgjë tjetër.

“Me dy dynym tokë aty, sot mund të marr 2 kuintalë grurë. Ç’do të ha unë me dy kuintalë grurë? Po të kishim ujë do të ishte mrekulli, se do arrija të prodhoja 6 kuintalë për dynym. Do merrja 12 kuintalë grurë, do haja e do mbuloja shpenzimet. Kurse kështu është varfëri e madhe shumë”, thotë Zihni Alia.

“Ne mbanim vetveten me ushqim, edhe për njerëz të tjerë, por mbanim edhe blegtorinë; dikush delen, dikush lopën, çfarëdo që kishim. Ndërsa sot hiç fare. Për bukën s’bëhet fjalë fare. Edhe në qoftë se unë e mbjell me jonxhë atë tokën atje , nuk arrij ta vadis atë dhe ajo thahet po s’pati ujin. Sot jemi në qiell të hapur”, thotë Reshat Mata.

E kur uji bllokon edhe bujqësinë, banorëve s’u mbetet asgjë tjetër, veçse të rreken të jetojnë pa ditur se me çfarë…

“Ky rezervuar, po të ishte në rregull do vadisnin e punonin tokat të gjithë, sidomos rinia. Tani, të gjithë djemtë e rinj rrinë gjithë ditën atje poshtë, luajnë domino, sepse s’kanë një punë”, thotë Servet Hasimi.

Këto janë rrugicat e fshatit, vështirësitë e banorëve që jetojnë një grusht kilometrash nga rruga nacionale, por që duket aq larg sikur të jetë në një botë tjetër.

Premtimet i kanë stivosur. Sipas tyre, ujë do të kishin që shumë vite më parë, e po ashtu do të kishin një rezervuar të pastruar, energji, rrugë e shumëçka. Fundja asgjë tjetër, përveç elementëve jetësorë për të jetuar… Por mesa duket, në Shqipëri edhe ato janë një luks. Ndoshta vërtetë politika do t’i mësojë shqiptarët edhe pa ujë…

Top Channel