Europa në gjendje emergjence, viktima nga përmbytjet e ngricat

02/02/2015 00:00

E cilësuar nga meteorologët si vala e të ftohtit siberian, ajo ka mbërthyer një pjesë të konsiderueshme të shumë vendeve. Temperaturat nën zero dhe përmbytjet e mëdha kanë shënuar edhe viktimat e këtij sezoni dimëror.

Në Bullgari, autoritetet deklaruan se pesë persona kanë vdekur, si dhe qindra fshatra janë izoluar, duke shpallur kështu edhe gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

5 persona kanë humbur jetën edhe në Turqi, si dhe 100 të tjerë janë në gjendje kritike, për shkak të erërave me shpejtësi deri në 110 km në orë dhe reshjeve të dendura. Vala e motit të keq ka bllokuar qindra fluturime nga aeroporti i Stambollit, si dhe shumë udhëtime me traget nga brigjet e detit Egje.

Greqia po ashtu është përfshirë nga shira të dendura, kryesisht në zonën e Epirit. Autoritetet vendore, të cilat po ndjekin me shqetësim situatën, kanë shpallur alarmin, pasi moti i keq do të vazhdojë sipas shërbimit meteorologjik të vendit. Përmbytjet e mëdha kanë shkaktuar dëme të të mbjellave, dëme të bizneseve të vogla, dyqaneve dhe të disa shtëpive të banimit.

Italia po ashtu është mbërthyer nga kthetrat e motit të keq. Stuhitë e shirave dhe kryesisht ato të dëborës janë shtrirë nga veriu në jug të vendit, dhe 2 persona kanë humbur jetën si pasojë e orteqeve të dëborës. Autoritetet italiane kanë dhënë alarmin për shpalljen e gjendjes së emergjencës, pasi pritet që një ciklon i fuqishëm të godasë vendin ditën e martë.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe temperaturat kanë arritur deri në -11 gradë celcius, duke shënuar 2 viktima në Skoci. Sipas parashikuesve të motit, muaji shkurt do të jetë muaji i ngricave.

Top Channel