Ukraina, SHBA ndryshon qëndrim ndaj ndihmave “vdekjeprurëse”

02/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara janë duke konsideruar dërgimin e ndihmave vdekjeprurëse ndaj forcave qeveritare të Kievit, në mënyrë që të zmbrapsin sulmet e rebelëve prorusë në rajonet lindore të Ukrainës.

Kjo ndihmë mund të vijë në formën e të ashtuquajturës “ndihmë mbrojtëse vdekjeprurëse”, ku priten të përfshihen antitankët, kundraajrorët dhe sisteme antimurtajash.

Këtë ndryshim të mundshëm të politikës së jashtme të SHBA-ve e raportoi fillimisht “New York Times”, e cila ka bërë të ditur se komandanti i NATO-s, Gjeneral Philip Breedlove, është në favor të dërgimit të asistencës vdekjeprurëse, ndërkohë që edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Martin Dempsey, si dhe këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice, janë të gjithë të hapur për të konsideruar këtë ide.

Një zyrtar amerikan tha për CNN se udhëheqësit ushtarakë amerikanë mbështesin tashmë idenë që ndihmat vdekjeprurëse për mbrojtje të bëhen pjesë e diskutimeve, por administrata është ende duke shqyrtuar dhe vlerësuar reagimin që mund të vijë nga qeveria ruse, e cila nga SHBA-të konsiderohet fajtore për mbështetjen e rebelëve në lindje të Ukrainës.

Në një intervistë gjatë javës së kaluar për CNN, Presidenti Barack Obama aludoi për shqetësime mes komunitetit ndërkombëtar se Presidenti Vladimir Putin po e izolon gjithnjë e më shumë Rusinë, duke hedhur dëm të gjitha mundësitë për të ulur tensionet në konliktin ukrainas.

“Ajo që është tërësisht e vërtetë, është se nëse ju keni një udhëheqës që vazhdon të ecë gjithnjë e më shumë drejt së shkuarës, duke shkelmuar të gjitha përpjekjet e arritura deri më tani, duke pasur parasysh përmasat e ushtrisë ruse, duke ditur faktin se Ukraina nuk është një vend anëtar i NATO-s, atëherë si pasojë e këtyre ne jemi përballë kufijve të qarta në lidhje me atë se çfarë mund të bëjmë ushtarakisht, por ju e dini shumë mirë se Putin nuk është ndalur aspak deri tani”, tha Obama.

Zyrtari amerikan që foli për CNN tha se opsioni i armatimeve u rikthye sërish në tryezë, pas avancimit të dërgesave ruse me armë në Ukrainë gjatë javëve të fundit. Por, udhëheqësit ushtarakë të SHBA-ve theksojnë se çdo dërgesë me armë drejt Ukrainës duhet të jetë pjesë e një pakete më të gjerë mundësish.

Në intervistën e tij për CNN, Obama nuk e përmendi hapur mundësinë e ndihmave vdekjeprurëse, duke bërë thirrje për një vazhdim të sanksioneve ekonomike.

“Ndaj atyre që kërkojnë prej nesh të bëjmë më shumë, ajo që dua t’u them është se ne mund t’i vendosim Rusisë kosto gjithnjë e më të mëdha, ndaj dhe kjo është ekzaktësisht ajo që po bëjmë, duke e dërguar presionin diplomatik në maksimum”, shtoi Obama. “Nuk mendoj se do të ishte e zgjuar nga ana e SHBA-ve apo botës mbarë, të shohë aktualisht një konflikt ushtarak mes SHBA-ve dhe Rusisë”.

Top Channel