Fronti Nacional në PE: Ndalni negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë

02/02/2015 00:00

Një projektrezolutë e tre eurodeputetëve francezë kërkon ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dominique Bilde, Sophie Montel dhe Steeve Briois janë deputetë francezë të së djathtës ekstreme, Frontit Nacional, që drejtohet nga Le Pen, të cilët jo vetëm që kërkojnë ndalimin e negociatave, por sipas tyre duhen mbajtur referendume në çdo vend anëtar, për shtetet e reja që synojnë anëtarësimin e mundshëm në BE.

Nëpërmjet mocionit të tyre, ata udhëzojnë Presidentin e Parlamentit Europian ta kalojë këtë projektrezolutë në Komisionin Europian, Këshillin Europian dhe te shtetet anëtare të bllokut.

Deputetët francezë thonë se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet, pasi ka përfituar shuma të mëdha kredish në periudha të ndryshme kohore, konkretisht 315,5 milionë euro gjatë 2000-2006 dhe 306,7 milionë euro gjatë 2007-2010, e po ashtu theksojnë se vendi ka probleme me drogën, prostitucionin, si dhe me korrupsionin, por edhe me presionin e padurueshëm të konkurrencës dhe forcat e tregut.

Një tjetër problem sipas tyre është edhe fakti se Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2009 dhe është njohur zyrtarisht si vend kandidat vetëm më 27 qershor 2014.

Top Channel