Përmbytje edhe në Korçë, nën ujë qindra hektarë tokë

02/02/2015 00:00

Hektarë të tërë toke bujqësore në Korçë dhe shumë banesa janë përmbytur. Qarku juglindor, i cili shpesh përballet me ngricat dhe të ftohtin e acartë, tashmë po provon dhe përmbytjen.

Në tokat e kultivuara me prodhime të ndryshme, përveç se është shkaktuar një dëm kolosal për fermerët, të cilët rrezikojnë të mos marrin asgjë nga prodhimet e tyre, situata është tejet e rënduar për shumë familje.

Më problematike gjendja ka qenë me komunat Libonik, Vreshtas e Pojan.

“Përmbytjet na kanë shkaktuar një dëm të madh. Deri tani nuk ka ardhur askush të interesohet për situatën e krijuar”, shprehen banorët.

Për fermerët e këtyre zonave, dëmi është i pallogaritshëm. Drejtoria e Bordit të kullimit, nga ana e saj, limitohet me justifikimin se është duke punuar në terren dhe se kjo situatë lidhet me rreshjet e shumta, që si këtu kanë përmbytur edhe pjesën tjetër të Shqipërisë, duke injoruar dëmin real që u shkaktohet qindra familjeve.

Top Channel