“Shqip”, përmbytjet: Si po menaxhohet situata?

02/02/2015 00:00

Reshjet e shumta të shiut,  kryesisht në jug të vendit kanë shkaktuar përmbytje të mëdha ky Vlora dhe Fieri janë dy qarqet më të goditura.

Qindra hektarë tokë janë nën ujë në zonën mes qytetit të Vlorës dhe Fierit si pasojë e daljes nga shtrati të Lumit të Vjosës. Shtabi i Emergjencave njofton se ka zhvendosur nga zonat më të goditura, kryesisht nga Frakulli e Levani në Fier dhe Novosela në në Vlorë rreth 300 familje.

Si është gjendja në zonat më të goditura? Si është menaxhuar kjo situatë? A e kanë autoritetet situatën nën kontroll dhe a mund të shmangej kjo përmbytje masive? Këtyre dhe të tjera pyetjeve u munduan t’i japin përgjigjje të ftuarit e në emisionin “Shqip” të kësaj të hëne.

I pari që mori fjalën ishte Alban Zusi, zv.Ministër i Bujqësisë. Ai tha se reshjet kanë qenë të mëdha dhe se autoritetet kanë administruar me sukses çdo gjë që të menaxhueshme nga dora e njeriut.

“Situata ka dalë jashtë kontrollit sepse niveli i ujërave është një metër mbi nivelin normal të nivelit të tokës. Në këto situata s’ka çfarë të bëjë dora e njeriut dhe parësore ka qenë vetëm shpëtimi i jetës së njerëzve”, tha ai.

Për analistin Shpëtim Nazarko këto përmbytje janë pasojë e shkatërrimit mbi 20-vjeçar që i kemi bërë natyrës.

“Është fatkeqësi, por mëkatet tona janë kolosale ndaj natyrës. Në 2011 ekonomia shqiptare ka pasur zërin e parë të eksportit lëndët drusore. Një vend që detyrohet të eksportojë lëndë drusore, është duke i vënë zjarr tokave të veta”, tha ai.

Kryeredaktori i Top Channel, Altin Kreka tha se përveç dëmit nevojitet edhe një koordinim më i mirë i institucioneve për të qenë më të përgatitur për këto situata.

“Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar se sa mund të jetë buxheti i MB apo i KESH apo i institutit hidroteknike për të bërë një plan dhe një parashikim se cilat do jenë reshjet dhe zonat e prekura”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Rudina Zaçe, kapitene e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak Kombëtar tha se ky shërbim ka njoftuar të gjitha organet kompetente për ardhjen e motit të keq.

“Shërbimi meteorologjik ka qenë i përgatitur dhe ka paralajmëruar këtë situatë të gjitha adresave ushtarake dhe shtabit të emergjencave civile. Ka qenë një situatë e rëndë. Frontet e njëpasnjëshme në 3 ditë janë shoqëruar me reshje shiu, më të lokalizuara në jug të vendit tonë. Sasia e reshjeve ka regjistruar sasinë më të lartë në këto 3 ditë, 240 mm shi, një vlerë që bie në gjithë muajin”, tha ajo.

Edhe zv.Ministri i Bujqësisë, Alban Zusi tha se janë vënë në dijeni për këtë situatë, por jo në të tilla përmasa. Ai vlerësoi punën e autoriteteve duke thënë se për herë të parë në këto vite përmbytjet nuk kanë ndihmë artificiale.

“Kjo përmbytje si rrallëherë nuk ka patur asnjë ndihmesë artificiale si për shkak të shkarkimeve të tjera të pamenaxhuara mirë. Kemi të bëjmë me një situatë me ujëra tejet cdo normaliteti, ku edhe punën e mirë për hapjen e kanaleve kulluese u kthye në një bumerang, duke qenë plotësisht të hapura dhe të kalueshme, ujërat e lumenjve u futën në tokat bujqësore. Ajo çfarë është bërë nga ne ka qenë mbajtja nën funksionim e hidrovoreve, hapja e kanaleve kulluese, jemi kujdesur për rezervuaret për të mos patur tejmbushje të tyre”, tha zv.Ministri Zusi.

Stuhia dhe përmbytjet që pasuan shkaktuan avari të mëdha në rrjetin elektrik duke lënë shumë zona pa energji. Por si është situata aktualisht?

“Situata në Novoselë dhe në pjesën e Vlorës ka qenë e vështirë, por tashmë është normalizuar. Sot është me energji e gjithë Shqipëria përveç 10 fshatra janë stakuar për arsye sigurie pasi kabinat janë të mbushura me ujë. Shtabi i jonë i emergjencës merr informacion çdo dy orë, duke nisur kryesisht me hidrovoret në këtë situatë”, tha ai.

Në lidhje direkte nga Ura e Mifolit ishte kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi bëri shkurtimisht një panoramë të gjendjes.

“Prej tre ditësh jemi në kryet të këtij operacioni në 5 qarqe, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan. Situata ka qenë e vështirë prej reshjeve. Gjysma e poshtme e Vjosës ka qenë problematike në Frakull, Levan dhe Novoselë. Janë rreth 15 fshatra që janë nën ujë, duke nisur nga 1 deri në 3 metra në ujë. Ka banesa 1 katëshe që janë mbuluar nga uji. Na është dashur të zhvendosim rreth 300 familje nga këto fshatra. 110 familje në Novoselë, 140 në Levan, 30 në Frakull dhe në Memaliaj 15 dhe në Urën Vajgurore 30 familje. Situata ka qenë komplekse dhe reshjet e kanë vështirësuar”, tha ai.

Nga Elbasani, korrespondentja e Top Channel, Bruna Kërçuku solli një panoramë të gjendjes, ku më alarmante është rreshkitja e dheut në rrugën Elbasan-Gjinar si pasojë e reshjeve. Rruga është krejtësisht e pakalueshme, duke izoluar rreth 10 mijë banorë të zonës së Shpatit.

Sa i takon situatës në veri, gjendja paraqitet e qendrueshme dhe e menaxhueshme. Këtë e siguroi edhe Drejtori i Divizionit të Gjenerimit të KESH-it, Ilir Belba në lidhje direkte telefonike.

“Kaskada është nën kontroll dhe në situatën aktuale çdo gjë është e menaxhueshme dhe nuk ka asnjë rrezik, as për shkarkim me prurjet që kemi”, tha ai.

Vijimi i reshjeve nuk premton përmirësimin e situatës në ditët në vijim. Megjithatë, Kapitene Rudina Zaçe tha se reshjet do të ulin intensitetin deri në fundjavë.

“Situata më e vështirë ka kaluar, të martën do të ketë një përmirësim të përkohshëm të motit, të mërkurën do të ketë shi dhe dëborë, por jo mot ekstrem. Të entjen rritje temperaturash dhe ndërprejre të këtyre fenomeneve. Të premten do të ketë sërish shi në të gjithë vendin, në veri-perëndim do të ketë edhe shtërngata, por s’është rast për panik. Edhe fundjava do të mbetet me mot të paqendrueshëm. Reshjet në fundjave do të jenë me intensitet të dobët”, tha ajo.

Në pjesën e tretë të ftuarit folën për një strategji kombëtare që duhet hartuar urgjentisht për të shmangur apo zvogëluar dëme të tilla.

Kryeredaktori i Top Channel, Altin Kreka tha se dëmi që i kemi bërë natyrës me prerjet e pyjeve dhe me ndërtimet në zonat pranë lumenjve është kostoja që po marrim tani.

“Vitet e fundit kanë ndodhur disa përmbytje dhe të gjitha kanë ardhur duke u përkeqësuar”, tha ai.

Analisti Shpëtim Nazarko tha se do të duhet kohë, shumë punë, ndërhyrje dhe ndërgjegjësim të njerëzve për të shmangur të tilla situata, ndërsa zv.Ministri i Bujqësisë, Zusi deklaroi se situata është përmirësuar që në vitin e parë. Si shembull ai solli rastin e hidrovoreve.

“Kur kemi ardhur kemi gjetur pjesën më të madhe të hidrovoreve jashtë pune. Sot është fakt që janë të gjithë hidrovoret në punë”, tha ai. 

Top Channel