“Charlie Hebdo” rikthehet në treg më 25 shkurt

03/02/2015 00:00

Revista satirike franceze, “Charlie Hebdo” do të dalë sërish në treg më 25 shkurt, ka konfirmuar një prej gazetarëve të saj ditën e hënë.

Redaksia e revistën u bë objekt i një sulmi terrorist më 7 janar, ku mbetën të vrarë 10 pjesëtarë të stafit dhe dy policë.

“Më në fund. “Charlie Hebdo” do të dalë më 25 shkurt në të gjitha pikat e shitjes”, ka shkruar në llogarinë e tij në “Twitter” Laurent Leger, një prej të mbijetuarve të sulmit.

Një javë pas sulmit, revista nxori numri e radhës, të quajtur “numri i të mbijetuarve”, ku në qendër të revistës ishte sërish një karikaturë e Profetit Muhamed që mbante në duar një tabelë ku shkruhej “Unë jam Charlie”. Tirazhi i revistës arriti  në 7 milionë kopje, ku më parë mesatarja e tirazhit ishte 30 mijë kopje.  

Dalja në treg e revistës më 14 janar me karikaturën e Profetin Muhamed në faqe të parë shkaktoi protesta të dhunshme në disa shtete myslimane.

Drejtori i ri i “Charlie Hebdo” është shprehur më parë se ndoshta karikatura e Profetit Muhamed nuk do të jetë më në faqet e revistës.

Më 7 janar, dy persona të armatosur sulmuan zyrat e “Charlie Hebdo” në Paris, ku u vranë 12 persona, shumica e tyre gazetarë dhe karikaturistë. Autorët thanë se kishin vepruar në shenjë hakmarrje për portretizimet e mëparshme të karikaturës së Profetit. Sulmi shënoi fillimin e tri ditëve të gjakderdhjes, ku mbetën të vrarë në total 17 persona.

Top Channel