Pritet përmirësim i motit, parashikohet pakësim i reshjeve

03/02/2015 00:00

Në këtë situatë përmbytjesh, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se do të ketë një përmirësim të motit. Reshjet do të vazhdojnë, por sipas meteorologëve do të jenë më të pakta në ditët e ardhshme. Rudina Zaçe, kapitene e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak Kombëtar foli në emisionin “Shqip”.

“E keqa më e madhe ka kaluar. Situata meteorologjike për ditët në vazhdim është e tillë: Gjatë ditës së martë do të kemi një ndërprerje të reshjeve të shiut dhe një përmirësim të përkohshëm të konditave meteorologjike. Reshjet e shiut dhe të dëborës në zonat malore do të rikthen sërish ditën e mërkurë, ku do të kemi kalim të herë pas hershëm të shtrëngatave, por nuk bëhet fjalë për një mot ekstrem. Duke nisur nga pasditja e së mërkurës parashikohet të ketë sërish një përmirësim të motit. Ditën e enjte do të kemi ndërprerje të fenomeneve në të gjithë territorin, gjithashtu do të kemi një situatë me rritje temperaturash”,  u shpreh  Rudina Zaçe, zv/drejtoreshë e SH.M.U.

Ndërkohë, Zaçe shtoi se Shërbimi Meteorologjik Ushtarak Kombëtar kishte njoftuar të gjitha organet kompetente për situatën e rëndë meteorologjike që lamë pas.  

“Shërbimi meteorologjik ka qenë i përgatitur dhe ka paralajmëruar këtë situatë të gjitha adresave ushtarake dhe shtabit të emergjencave civile. Ka qenë një situatë e rëndë. Frontet e njëpasnjëshme në 3 ditë janë shoqëruar me reshje shiu, më të lokalizuara në jug të vendit tonë. Sasia e reshjeve ka regjistruar sasinë më të lartë në këto 3 ditë, 240 mm shi, një vlerë që bie në gjithë muajin”, tha ajo.

Top Channel