Shtetet e Bashkuara zgjerojnë sanksionet ndaj Venezuelës

03/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të zgjerojnë sanksionet ndaj zyrtarëve të Venezuelës, duke i ndaluar atyre udhëtimin për në SHBA.

Emrat e zyrtarëve, të cilët akuzohen për shkelje të të Drejtave të Njeriut dhe korrupsion, nuk janë bërë të ditur. Masat e reja zgjerojnë sanksionet e një viti më parë të vendosura mbi Venezuelën, ndaj zyrtarëve të dyshuar për shkelje të të drejtave të protestuesve. Atëherë Presidenti Maduro i cilësoi masat si, “fyese dhe imperialiste”.

“Kemi si qëllim të dërgojmë një mesazh të qartë që abuzuesit e të Drejtave të Njeriut, ata që përfitojnë nga korrupsioni dhe familjet e tyre, nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

Sanksionet e vendosura në muajin dhjetor prekën zyrtarët e akuzuar mbi rolin e tyre në shtypjen e protestave kundër qeverisë, të cilat tronditën Venezuelën në 6 muajt e parë të 2014-ës.

Ndërkohë, gjatë javës së kaluar me mijëra venezueljanë kanë marrë pjesë në marshimin e opozitës në Karakas, me akuzat se politikat qeveritare janë duke e përkeqësuar krizën ekonomike të vendit.

Marshimi ishte përpjekja e parë e opozitës prej muajsh të tërë, për të rigjallëruar lëvizjen e tubimeve, që ngriti në këmbë vendin vitin e kaluar.

Top Channel