Guardiola: Mund të pësojmë fatin e Borussias

03/02/2015 00:00

Pep Guardiola i ka kujtuar skuadrës së tij se në Bundesligë çdo ndeshje është e vështirë dhe dha si shembull rastin e Borussia Dortmund që e nisi sezonin si favorite për titull dhe tani e sheh veten në vendin e fundit.

Trajneri i Bayern Munchen i bëri këto deklarata në konferencën e shtypit para ndeshjes Bayern Munchen-Schalke 04 (sot, ora 20:00) dhe tre ditë pas humbjes 4-1 ndaj Wolfsburg.

“Para ndeshjes ndaj Wolfsburg të gjithë mendonin se e kishim fituar Bundesligën. Nuk është e vërtetë. Në Gjermani është i vështirë çdo takim. Nëse do e kuptojmë shpejt këtë gjë, atëherë mund ta mbrojmë titullin”, tha Guardiola, skuadra e të cilit kryeson Bundesligën me 8 pikë avantazh pikërisht ndaj Wolfsburg.

Trajneri spajnoll mori shembullin e Borussias: “E vlerësoj shumë Klopp-in dhe Borussian. Ka një skuadër shumë të mirë me lojtarë shumë të mirë. Por, sot janë të fundit. Kjo gjë mund të na ndodhë edhe neve.”

Top Channel