Shqipëria përfshihet nga epidemia e gripit

03/02/2015 00:00

Shqipëria është përfshirë nga një epidemi gripi. Kjo u bë e ditur nga
drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu, i cili këshilloi
se nuk duhet të neglizhohet asnjë rast, pasi pasojat mund të jenë të
rënda. Sipas tij, çdo javë evidentohen 16 mijë raste me grip, çka ka
sjellë vërtet një gjendje alarmi.

“Shqipëria është duke përjetuar një intensitet të lartë të infeksioneve respiratore si një pjesë e mirë e rajonit europian. Aktualisht vendi ynë gjendet në periudhën e epidemisë së gripit. Viruset që qarkullojnë këtë vit janë AH1N1pdm09 dhe AH3N2, të cilët janë të përfshirë në vaksinën e antigrip. Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe që në shenjat e para të shfaqjes së tij konsultohuni me mjekun e familjes dhe mjekun pediatër”, paralajmëroi drejtori i ISHP-së, Arjan Bregu.

Më tej, ai këshilloi se duhet treguar kujdes dhe në momentin e parë që konstatoni një gjendje të tillë, të paraqiteni menjëherë te mjeku. Shenjat më të zakonshme të gripit janë temperaturë e lartë e menjëhershme, kollë që mund të jetë e thatë, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, anoreksi, lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhembje barku, si dhe dhembje muskulore. Drejtori i ISHP-së jep disa këshilla si të mbrohemi nga gripi. “Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit stinor është vaksinimi me vaksinën kundër gripit. Vaksinimi mbron vetë personin, si dhe ndihmon në mospërhapjen e gripit. Gjithashtu të shmangen ambientet e mbyllura dhe kontakti me personat e infektuar”, këshillon Bregu. Ai u bën thirrje të gjithë personave në risk të vaksinohen, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shmangin disi rrezikun nga gripi.

Ndërkohë vaksina antigrip nuk rekomandohet të bëhet nga disa kategori të popullatës si, individët që kanë alergji nga veza, persona që shfaqin temperaturë akute, apo edhe tek ata që kanë pasur reaksione të mëparshme vaksinore. Gjithashtu është e ndaluar që të vaksinohen fëmijët nën 6 muajsh. OBSH, nëpërmjet Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon kryerjen e një vaksine ndaj gripit çdo vit, si mjet për t’u mbrojtur nga gripi.

Veç kësaj, drejtori i ISHP-së thekson se medikamentet antigrip duhet të merren dhe përdoren vetëm me rekomandim të mjekut, pasi përdorimi pa kriter i tyre mund të rrezikojë seriozisht jetën. “Medikamentet kundër gripit mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip, dhe të rekomanduara nga mjeku. Ilaçet kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë”, sqaron drejtori i ISJP-së, Arjan Bregu. Kjo gjendje ka sjellë shqetësim dhe probleme kryesisht të fëmijët, ku çdo ditë, në pediatrinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka një fluks të jashtëzakonshëm. Qindra të vegjël drejtohen drejt QSUT-së, me temperaturë të lartë dhe kollë. Dyndja drejt kësaj qendre ka krijuar radhë të gjata dhe tejmbushje të ambienteve të pediatrisë. Gripi sezonal është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu te njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë. Virusi i gripit transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit me një person të infektuar. Më rrallë, një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.

Top Channel