Stuhi dëbore në SHBA, goditet rëndë verilindja

03/02/2015 00:00

Një tjetër stuhi dëbore goditi verilindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e dyta brenda javës. Autoritetet raportuan probleme me trafikun ajror në disa prej aeroporteve të mëdha, ndërsa qarkullimi në rrugë është vështirësuar.

Reshjet e reja të shoqëruara me erëra të forta vijnë vetëm pak ditë pasi një sistem i fuqishëm stuhish zhyti në dëborë të gjithë zonën nga Nju Jorku në Boston. Kushtet e ashpra atmosferike u bënë shkas për të paktën 7 vdekje, disa prej të cilave u regjistruan në rajonet qendrore të vendit, të dielën e të hënën.

Në Uatërbëri të Konektikatit, 48 centimetra bore iu shtuan në 2 shkurt shtresës së zënë nga reshjet e mëparshme. Shumica e viktimave kanë humbur jetën në aksidente rrugore si pasojë e akullit në rrugë.

Aq e madhe ishte forca e erës në juglindje të Virxhinias sa përmbysi një kamion në zonën e Hamptonit. Drejtuesi i tij është dërguar në spital me lëndime që nuk përbëjnë rrezik për jetën. Erërat me fuqi 100 km në orë dhe shirat e rrëmbyer atje kanë lënë 17 mijë familje pa energji elektrike në mesin e ngricës.

Shqetësimin e banorëve supersticiozë të këtij rajoni, sipas Reuters, e shtoi akoma më shumë sjellja e brejtësit Fil, parashikuesi i famshëm sezonal, të cilin e zgjojnë në shkurt dhe e nxjerrin nga strofka e tij për të parë kohën jashtë. Nëse Fili kthehet brenda pasi sheh hijen e tij, kjo, sipas besimit vendas nënkupton edhe 6 javë të tjera të gjata dimri të egër.

Shërbimi Metereologjjik Kombetar amerikan paralajmëroi për erëra të acarta e të rrezikshme gjatë ditëve në vijim.

Top Channel