Ulet niveli i ujit, por rikthehen shirat. Ende mbi 5.000 hektarë janë nën ujë

03/02/2015 00:00

Në Novoselë janë rikthyer pasditen e së martës reshjet e shiut, duke bërë më të vështirë përballimin e situatës në orët e natës.

Gjatë ditës në këtë komunë, por edhe në të tjera të Vlorës dhe Fierit, si pasojë e motit të qetë ka pasur ulje të nivelit të ujërave, por tani edhe ai përmirësim i lehtë i situatës po zbehet.

Rezulton se banorët e Novoselës janë kthyer të gjithë nëpër shtëpitë e tyre dhe zor se atje gjen ndonjë shtëpi bosh, pavarësisht situatës së rëndë.

Gjatë paradites banorët kanë mundur të heqin ujin dhe llumërat në banesat e tyre dhe janë përpjekur të shpëtojnë ç’të mundin. Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, si në bujqësi edhe në blegtori, që është dhe kryesorja për banorët.

Kthimi i banorëve në Novoselën e përmbytur

Që në orët e para të mëngjesit, pjesa dërrmuese e banorëve të Novoselës u rikthyen në shtëpitë e tyre për të shpëtuar atë çfarë mund të kishte mbetur pa u
shkatërruar nga ujërat.

Ata kërkuan ndihmë nga shteti për të larguar sa më parë ujin nga shtëpitë, si dhe dëshmpërblim për dëmet e pësuara, sidomos në bagëti.

Barinjtë thanë se humbjet në dhen ishin në masë të madhe, edhe pse nuk dhanë një shifër të saktë. Ndërkohë, problem më vete ishte prania e kafshëve të ngordhura.

Mesditën e së martës, Ministria e Brendshme njoftoi se një sipërfaqe prej 5 mijë hektarësh në
mbarë vendin ndodhej nën ujë për shkak të përmbytjeve të ditëve të
fundit.

Me anë të një njoftimi për shtyp u bë e ditur se ishin evakuuar 420 familje dhe se kishte nisur shpërndarja e ushqimeve për familjet në zonat më të goditura, kryesisht në fshatin Novoselë.

Po ashtu, ndihma u shpërndanë edhe për familjet në Levan të Fierit dhe në Urën Vajgurore, një zonë po ashtu e përfshirë nga përmbytjet.

Ministria e Brendshme deklaroi se gjendja ishte nën monitorim, ndërsa lajmëroi se lumi i Semanit kishte arritur në nivele kritike për shkak të prurjeve të shumta.

Vjosa kishte më pak prurje, ndërsa probleme ka pasur dhe ende ka në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, ku disa segmente janë ende nën ujë.

Edhe në qarkun e Beratit ka pasur mjaft sera të dëmtuara, por ende nuk është bërë përllogaritja e dëmit të shkaktuar, që nga mbikëqyrjet paraprake pritet të jetë e lartë.

Top Channel