Rama në Berat: Bashkëpunoni, na pret një tjetër ditë e vështirë

03/02/2015 00:00

Berati një tjetër qark i prekur nga përmbytjet është vizituar paraditen e
të martës nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir
Tahiri.

Nga zona e Urës Vajgurore, prefekti Beratit Selfo Kapllani thotë se është bërë evakuimi i familjeve të rrezikuara nga lumenjtë Osum dhe Devoll. Ndërkohë ai theksoi se nuk ka patur mungesë të energjisë elektrike dhe se hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë.

Kryeministri Rama tha se ai ishte i kënaqur që të gjitha strukturat i janë përgjigjur situatës.

“Ne jemi krenarë që kemi vënë në provë me sukses të gjitha strukturat dhe ato i janë përgjigjur në kohë detyrave të tyre, ndërkohë që sot është dita për të përsëritur, se sipas parashikemeve pritet një shfrim i dytë i tërbuar i motit. Ndaj ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e emergjencave civileve, me Policinë e Shtetit me të gjithë të përfshirët në këtë proces, në mënyrë që të mos kemi asnjë ngurrim për të evakuuar në rast paralajmërimi. Pasi të përballojmë situatën, në Urën Vajgurore do të nisë një investim i rëndësishëm që përbën për këtë zonë investimin të barabartë me çfarë është investuar në 20 vjet të mbledhura së bashku”, tha Rama.

Ndërsa drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi u shpreh se në Berat, situata ka qenë nen kontroll, pavarësisht prurjeve të lumenjve Devoll dhe Osum, ku ka qenë një intensitet shumë i lartë i reshjeve, rreth 200 milimetra shi në 24 orë.

“Strukturat e emergjencave civile në të gjithë rajonin e qarkut të Beratit, me në krye Prefektin, Batalioni i Reagimit të Shpejtë dhe shërbimet e policisë dhe të emergjencave civile kanë dhënë kontributin maksimal në njësinë rekord të kohës, duke larguar 65 familje në Urën Vajgurore”, tha Prençi.

Top Channel