As serbët e as kroatët nuk kanë kryer genocid gjatë luftrave të Ballkanit. Ky ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Qeveria kroate pati folur e para për genocid të forcave serbe në qytetin e Vukovarit dhe pjesë të tjera të vendit gjatë konfliktit të vitit 1991.

Pas kësaj, Beogradi paraqiti një ankesë mbi dëbimin e më shumë se 200.000 serbëve nga Kroacia. Rreth 20.000 vetë vdiqën gjatë luftës së viteve 1991-1995, kur vendi u shkëput prej ish-Jugosllavisë. Vukovari mbajti peshën më të madhe të dhunës serbe. I pushtuar prej tre muajsh, qyteti u shkatërrua thuajse krejtësisht. Dhjetëra-mijëra kroate etnike u shpërngulën asokohe e gati 260 burra u kapën nga ushtarët serbë e u vranë.

Katër vjet më vonë, ushtria kroate bombardoi gjatë operacionit “Stuhia” pjesën dërrmuese të zonës së Krajinës me shumicë etnike serbe, duke detyruar 200.000 vetë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Megjithatë, nga salla e gjyqit në Hagë, gjykatësi Peter Tomka tha se Serbia nuk ka kryer genocid dhe se akuza e Kroacisë është rrëzuar e gjitha. E njëjta gjë vlen sipas tij edhe për argumentet e Beogradit: “Akte dhune ka pasur nga të dy krahët, por asnjëra palë nuk paraqiti këtu prova të mjaftueshme të cilat dëshmonin se ka ekzistuar qëllimi në vetvete për akte genocidi.”
 
Përkufizimi i genocidit është ai i veprimit të kryer me qëllimin për të shkatërruar pjesërisht apo tërësisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar. Përmes dosjes së paraqitur në gjykatën më të lartë të OKB-së në 1999-n, Kroacia akuzonte serbët e drejtuar nga ish-presidenti Sllobodan Millosheviç se gjatë konfliktit shënjestruan qëllimisht kroatët etnikë dhe pretendonte kompensime për dëmet e bëra njerëzve, pronave, ekonomisë së vendit dhe mjedisit.

Top Channel