Demokratët, apel qeverisë: Banorët të furnizohen me ushqime dhe ilaçe

03/02/2015 00:00

Pas një takimi me banorë të dëmtuar nga përmbytjet në fshatrat e Vlorës dhe të Fierit, deputetja demokrate, Albana Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të reagojë dhe t’i ndihmojë ata pasi kanë nevojë për ushqime dhe medikamente.

“Ka banorë që kanë ndenjur me ditë të tëra të izoluar dhe askush, pavarësisht se i kanë lajmëruar nuk i ka ardhur në ndihmë. Ne i bëjmë thirrje Ramës, qeverisë që menjëherë të krijojë Shtabin e Emergjencave Civile, ta sjellë këtu menjëherë, të bëjë inventarin e të gjitha dëmeve, të shtëpive, tokave, bagëtive, mobiljeve dhe t’u vijë një orë e më parë në ndihmë banorëve të të gjithë Novoselës, por në veçanti të fshatrave Bisham dhe Fitore sepse janë zonat më të prekura”, tha deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Ndërkohë nga Tirana deputeti demokrat, Arben Ristani tha se situata nga përmbytjet është e vështirë edhe në Labëri ku dhjetra fshatra po vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë elektrike.

“Kemi informacion se në Kurvelesh, rreth 1200 banorë janë pa energji dhe të bllokuar nga dëbora prej pesë ditësh. Në Fier, në fshatrat Darzezë, Hoxharë, Poro, Çërven gjendja është katastrofike. Nuk ka asnjë masë konkrete për t’u ardhur në ndihmë banorëve që po vuajnë për strehim dhe ushqim ndërkohë që po humbasin gjënë e gjallë. Në Vlorë në fshatrat Bishan dhe  Fitore gjendja është gjithashtu alarmante. Në Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Memaliaj banorët kanë përballuar vetë pasojat e përmbytjeve pasi nuk kanë marrë asnjë ndihmë prej strukturave të shtetit. Pesë fshatra krejtësisht të izoluara në Këlcyrë. Ka mungesa energji në shumë komuna. Ky është realiteti që kërkon zgjidhje konkrete e jo batuta në Tëitter dhe Facebook. I përsërisim thirrjen Kryeministrit Rama që të vihet në krye të Shtabit të Emergjencës dhe të vërë në punë një plan konkret. Banorët kanë nevojë për zgjidhje emergjente tani dhe nuk kanë nevojë për premtime boshe”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani.

Top Channel