Betohet kreu i ri i shtetit italian, Sergio Mattarella

03/02/2015 00:00

Presidenti i ri i Republikës italiane, Sergio Mattarella, u betua përpara Parlamentit dhe nis kështu mandatin e tij shtatëvjeçar në krye të shtetit. Ai u prit me entuziazëm nga deputetët dhe senatorët, përpara të cilëve mbajti fjalimin e parë.

“Jam arbitër i paanshëm, por lojtarët duhet të më ndihmojnë”, tha ai, pasi përshëndeti të gjithë italianët kudo që janë dhe të huajt me banim në Itali.

Më pas, Presidenti Mattarella u përqëndrua mbi krizën që po kalon vendi, urgjencën e reformave institucionale dhe ekonomike, mbi nevojën e transparencës dhe koherencës së vendimeve që merren. Fjalimi, që zgjati gjysmë ore, u ndërpre 42 herë nga duatrokitjet.

Hapja e mandatit të Presidentit të republikës shoqërohet nga një ceremoni shumë sugjestive, e pandryshuar prej gati 70 vjetësh. Nga çasti kur Presidenti i ri i republikës del nga banesa e tij për të shkuar në Parlament, kambana e Parlamentit nis të bjerë pa pushim. Një kambanë e lashtë, që ka mbishkrimin “Nderoni drejtësinë, ju që gjykoni në tokë”.

Betimi solemn shoqërohet me 21 të shtëna topi. Sipas traditës, Presidenti lëvizi gjatë ditës së betimit me një automjet “Lancia Flaminia”, të prodhuar në vitin 1960 dhe që nxirret shumë rrallë, vetëm për ceremonitë më solemne. Pasi vuri një kurorë në Monumentin e Ushtarit të Panjohur, Presidenti shkoi në Quirinale, ku mori zyrtarisht postin e tij të ri.

Top Channel