Kinë, vetëm 8 qytete përmbushin standardin kombëtar për ndotjen e ajrit

03/02/2015 00:00

Vetëm 8 qytete në Kinë kanë përmbushur standardet e këtij vendi për cilësinë e ajrit gjatë vitit 2014, siç bën të ditur Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit, e megjithatë ky shënon një progres krahasuar me vitin 2013, kur numëroheshin vetëm 3 qytete me ajër të pastër në Kinë.

Haikou, në provincën ishullore të Hainanit, shpesh e njohur edhe si Bali i Kinës, ka cilësinë më të lartë të ajrit, mes 74 qyteteve të monitoruara prej Ministrisë në fjalë kineze.

Qytetet me ajrin më të ndotur janë ato të provincës industriale të Hebeit, pranë kryeqytetit Pekin, ku mesatarja e substancave PM2.5 (grimca të vogla që mund të përfundojnë thellë në mushkëri) është 93 mikrogramë për metër kub, thuajse trefishi i standardit kombëtar të Kinës prej 35 mikrogramë.

Udhërrëfyesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ekspozimin maksimal të shëndetshëm është edhe më poshtë se standardi kombëtar i Kinës, teksa lejon vetëm 25 mikrogramë për metër kub.

Baoding, qyteti më i ndotur i Kinës, është vendbanim i 11 milionë banorëve dhe ndoshta është i njohur për hamburgerët me mish gomari.

Gazeta e përditshme zyrtare e Kinës bën të ditur se qeveria ka vendosur objektiva për të zvogëluar shfrytëzimin e qymyrit, si dhe të mbyllë ndërmarrjet industriale që ndosin ambientin në Hebei, por kjo provincë ka dështuar të gjejë alternativa të tjera për rritjen e mirëqenies.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel