Francë, blic anti-xhihad në Paris e Lion, 8 të arrestuar; në Nisë plagosen 2 ushtarë

03/02/2015 00:00

Policia franceze ka arrestuar tetë persona të dyshuar për rekrutim të luftëtarëve për në Siri, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve.

Arrestimet janë kryer në qytetet Paris dhe Lion dhe nuk kanë lidhje me sulmin e janarit ndaj redaksisë së satirikes “Charlie Hebdo”, ka saktësuar Cazeneuve.

Franca mbetet në gjendje alarmi pas sulmeve të janarit ku humbën jetën 17 persona e ku përveç revistës u sulmua edhe një supermarket i komunitetit hebre.

Duke folur për mediat, ministri Cazeneuve deklaroi se tetë personat kishin qenë pjesëmarrës aktivë në një rrjet që rekrutonte të rinj francezë për t’iu bashkuar xhihadit në Siri.

“Lufta kundër terrorizmit është një garë me kohën, vendosmëria jonë është maksimale”, deklaroi Cazeneuve. Në bazë të ligjit francez, të dyshuarit mund të mbahen në arrest për 96 orë pa asnjë akuzë.

Ndërkohë, në Nisë një person i armatosur me thikë ka sulmuar tre ushtarë që patrullonin jashtë qendrës së komunitetit hebre në këtë qytet, në jug të Francës.

Sipas raportimeve të mediave franceze, dy ushtarë u plagosën lehtë nga ky sulm, ndërsa agresori i tyre u arrestua. Mësohet se dy persona të tjerë që ishin bashkë me agresorin u arratisën nga vendi i ngjarjes. Policia është vënë në kërkim të tyre.

Qeveria franceze vlerëson se rreth 400 shtetas francezë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah militantëve dhe se në vend janë rreth 900 të tjerë të lidhur me celulat e rekrutimit.

Ministri Cazeneuve deklaroi se 161 proçedime ligjore për terrorizëm janë në zhvillim e sipër, me 547 individë të dyshuar për përfshirje në rrjetet e terrorizmit.

Arrestimet e së martës vijnë pas një operacioni të ngjashëm të zhvilluar një javë më parë në jug të Francës, ku pesë persona u arrestuan në qytetin e vogël të Lunelit, nën dyshimin e pjesëmarrjes në një celulë xhihadiste.

Një sërë masash të reja sigurie nisën nga zbatimi menjëherë pas sulmeve të Parisit. mbi 10 mijë trupa ushtarake e policore u vendosën në mbarë Francën për të mbrojtur hapësirat publike si shkollat, sinagogat dhe xhamitë.

Top Channel