Konflikti në Gaza, dorëhiqet kreu i komisionit hetimor

03/02/2015 00:00

Shefi i komisionit hetimor të OKB-së për krime të mundshme lufte të kryera gjatë konfliktit të vitit 2014 mes Izraelit dhe Gazës ka dhënë dorëheqjen pas dyshimeve të ngritura për prirje anti-Izrael.

William Schabas bëri me dije se më herët kishte punuar për Organizatën për Çlirimin e Palestinës dhe nuk dëshironte që kjo të kompromentonte hetimet.

Izraeli e ka akuzuar profesorin Schabas për “bindje të pastra dhe të dokumentuara” kundër tij. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se hetimi tani duhet të anulohet.

Paneli hetimor, që u zgjodh nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, UNHCR, pritet të nxjerrë rezultatet e hetimit në muajin mars.

Netanyahu deklaroi se këshilli ishte “një strukturë anti-Izrael”, që sipas tij nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e njeriut.

“Ky është i njëjti këshill që në vitin 2014 mori më shumë vendime kundër Izraelit sesa Iranit, Sirisë dhe Koresë së Veriut të marra së bashku”, tha kryeministri.

“Pas dorëheqjes së William Schabas është koha për ta fshirë atë raport që ky komitet ka shkruar”, shtoi ai.

Profesor Schabas, një ekspert ligjor ndërkombëtar nga Kanadaja, u caktua gushtin e kaluar për të drejtuar një grup të përbërë nga tre persona që do të hetonte krimet e supozuara të luftës të kryera nga ofensiva izraelite në Gaza.

Zëdhënësi i UNHCR-së, Rolando Gomez deklaroi se Izraeli e kishte akuzuar profesorin për “konflikt interesi”, për shkak të një konsulte që ai kishte dhënë për palestinezët në vitin 2012.

Top Channel