Çelësi i rinisë së përjetshme

03/02/2015 00:00

Shkencëtarët besojnë se kanë hedhur një hap gjigant në gjetjen e një kure për rininë e përjetshme.

Në vitin 2009, Elizabeth Blacburn dhe Jack W Szostak fituan çmimin Nobel për zbulimin e telomereve njerëzore. Telomeret janë segmente të specializuara të materialit gjenetik që veprojnë si mbrojtëse në fund të çdo fije të ADN-së, për të parandaluar shthurjen e saj. Por telomeret shkurtohen natyrshëm me kalimin e kohës dhe kjo shkakton plakjen.

Sot pretendohet se është zbuluar një teknikë, që duke përdorur një formë të modifikuar të ARN-së (Acidi ribonukleik) dhe duke ndërhyrë tek telomeret, rinon qelizat e plakura.

“Kemi zbuluar një mënyrë për të zgjatur telomeret me 1 mijë nukleodite (ARN përmban vetëm një varg nukleoditesh). Kjo metodë kthen pas akrepat e orës për qelizat dhe në vite njerëzore përkthehet në shumë, shumë vite”, thotë Helen Blau nga “Stanford University”.

Testet e para janë kryet tek minjtë ku është vënë re që qelizat e minjve me telomere më të zgjatura janë më të reja se qelizat e minjëve ku nuk është kryer kjo ndërhyrje me ARN të modifikuar.

Shkencëtarët shprehen optimistë se në një të ardhme e njëjta metodë mund të vlejë edhe për njerëzit, për të kuruar sëmundjet që lindin për shkak të moshës, por edhe një grup sëmundjesh të tjera që lidhen me telomeret.

Top Channel