Turqia i revokon pasaportën rivalit të Erdoganit, Gulen

03/02/2015 00:00

Qeveria turke ka revokuar pasaportën e aleatit të kthyer në armik, Fethullah Gulen, në atë që media lokale gjatë një raportimi të së martës e quan si sulmin e fundit në një grindje të hidhur mes klerikut islamik që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan dhe partia e tij në pushtet, “AK”, akuzojnë Gulenin dhe mbështetësit e tij se synojnë të krijojnë një “shtet paralel” në Turqi dhe se kanë orkestruar një hetim antikorrupsion gjatë vitit 2013, i cili për pak sa nuk kërcënoi rrëzimin e qeverisë së atëhershme.

Gulen, i cili i mohon këto akuza, ka përshkallëzuar nga ana e tij kritikat kundrejt Erdoganit, duke thënë se ai po udhëheq Turqinë drejt “totalitarizmit”. Sipas një raporti të CNN, Turqia ka informuar zyrtarët amerikanë më 28 janar se Gulenit i është revokuar pasaporta, për shkak se ajo i është lëshuar atij bazuar mbi një “deklaratë false”. Gulen jeton në azil të vetëimponuar në Pensilvani, që prej vitit 1999.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke bëri të ditur se nuk mundet ta konfirmojë raportimin në media. Por, kjo lëvizje mund ta çojë Ankaranë një hap më pranë lëshimit të një kërkese formale ekstradimi për Gulenin. Uashingtoni pritet të refuzojë një kërkesë të tillë, duke zbehur edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe, të cilat janë përkeqësuar ndjeshëm për shkak të politikave rajonale dhe shqetësimeve të Amerikës ndaj asaj që disa e konsiderojnë si rritje e autoritarizmit të Erdoganit.

Erdogan ka bërë prej kohësh thirrje për deportimin e Gulenit. Në dhjetor, një gjykatë lëshoi një mandatarresti për klerikun, i cili ka qenë dikur një aleat i afërt me partinë islamike të Erdoganit për shumë vite, deri sa ai erdhi në pushtet në vitin 2002. Pas akuzave për korrupsion të vitit 2013, Erdogan, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit, nisi spastrimin e aparatit shtetëror, si dhe riorganizoi me mijëra policë dhe qindra gjykatës e prokurorë, të cilët dyshoheshin se ishin besnikë të Gulenit.

Top Channel