Naço vijon vizitën në Kosovë, pritet nga Jahjaga e Mustafa

03/02/2015 00:00

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Nasip Naço, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë është pritur nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, si dhe nga krerët e institucioneve të drejtësisë.

Gjatë takimeve u vlerësua bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të dy vendeve dhe u theksua nevoja e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, në veçanti në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Ministri Naço vlerësoi reformat që e ndërmarra nga institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin reciprok në të gjitha fushat me interes dypalësh.

Gjatë mëngjesit, në takimin me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani, ministri Naço u informua me përbërjen dhe me punën e deritashme të kësaj gjykate, duke veçuar disa prej vendimeve më të rëndësishme të saj.

Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë pas takimit, ministri Naço e vuri theksin tek rëndësa e respektimit të vendimeve të gjykatave të të gjitha niveleve, si parakusht për forcimin e shtetit ligjor në çdo vend.

Naço u takua edhe me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha dhe udhëheqës tjerë të institucioneve të drejtësisë.

Top Channel