Yllka Qevani: E dua gatimin, por kuzhina jo një vend ideal pune për mua

03/02/2015 00:00

Kuzhina e “Masterchef”-it ka qenë një spektakël i jashtëzakonshëm kulinarie. Përveç vlerave gastronomike, programi ka servirur personazhe shumë interesantë, pjesëmarrës, shumica e të cilëve nuk vinin me profesionin e kuzhinierit.

Yllka Qevani, në edicionin e dytë të këtij spektakli televiziv ishte padyshim një prej tyre. 34-vjeçarja, nënë e dy vajzave, është diplomuar në Itali për psikologji. Aktualisht punon në një zyrë si specialiste Burimesh Njerëzore, por gatimi, ashtu sikurse e pamë edhe në “Masterchef”, është absolutisht një ndër pasionet e saj më të mëdha.

Yllka ishte një konkurrente me shumë ngjyra. Në garë ajo i provoi të gjitha: të humbte dhe të ishte udhëheqëse e një skuadre. Nuk hezitonte të përballte të papriturat dhe, me të njëjtin guxim e pa droje, ajo priste edhe vlerësimet e shefave.

Mbase sepse Yllka, sfidën në këtë garë nuk e kishte me të tjerët, por me veten, sepse ajo vendosi të hyjë në këtë konkurrim për të provuar sesa gjatë do të rezistonte pasioni i saj.

Kur Yllka gatuan, ajo gjen në të argëtim, sfidon dhe pret të sfidohet. Eksperienca në “Masterchef” është ndër gjërat më të bukura që ajo ka bërë, por kuzhinën nuk e sheh aspak si vendin e saj të ardhshëm të punës. Për të, kuzhina është pasioni që ajo ka zgjedhur ta mbajë, krahas detyrimeve të përditshme, si qershizën mbi tortë.

Top Channel