Orana Sinani: Pas “Masterchef”-it, kuzhina një pasion për t’u jetësuar

03/02/2015 00:00

Ajo hyri në kuzhinën e “Masterchef Albania” për të jetësuar një pasion të ri. Orana ishte vajza, që mbante një profil tërësisht ndryshe. Poliglotja e diplomuar për juridik arriti të veshë e të mbajë për 12 javë me radhë, në prova nga më të paimagjinueshmet, përparësen e “Masterchef”-it.

26-vjeçarja nga Tirana e ka lidhur veten me pasionin për gatimin që adoleshente, kur në familje merrte përsipër detyrën për të organizuar darka të mëdha në evente familjare. Por, gjatë sfidave në “Masterchef Albania 2”, ajo kuptoi se të gatuarit në një kuzhinë profesionale nuk ishte dhe aq zbavitëse, por përkundrazi një përgjegjësi e madhe, të cilën ajo e mbajti shumë denjësisht deri afër gjysmëfinales.

Orana nuk kishte asnjë formim profesional si kuzhiniere. Leksionet e para ajo ia atribuon nënës së saj, për recetat tradicionale që i ka trashëguar. Eksploron shumë në internet dhe gjithë dijet së bashku i vë t’i eksperimentojë, teksa gatuan vaktin e radhës për familjarët. Shpesh i pëlqen të krijojë receta të ndryshme, megjithëse për herë të parë në “Masterchef” u përball me sfidën e përgatitjes së një torte.

Orana ka provuar se mund të jetë një juriste shumë e mirë. Një mësuese e denjë për nxënës, që kanë marrë prej saj mësime gjuhësh të huaja, megjithatë, pas përvojes së tanishme në “Masterchef Albania 2”, njerëzit dëshirojnë ta shohin 26-vjeçaren të veshur me përparësen e shefes së kuzhinës.

A do të guxojë ajo pas kësaj përvoje, të eksperimentojë një profil të ri?

Top Channel