Pandi Toçe, heroi që nuk deshëm ta identifikojmë

03/02/2015 00:00

Ishte mëngjesi i 14 gushtit 2014, kur Pandi Toçe kishte dalë për të ecur në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Ishte një ditë e zakonshme e ish-aktorit të Teatrit të Peshkopisë, gjatë muajve të tij të papunësisë.

Atë ditë, ai sheh një grup fëmijësh, që po përpiqeshin të shpëtonin një tjetër fëmijë, që po mbytej. Nuk iu deshën shumë sekonda për t’u menduar dhe, pasi ndihmoi dhe nxori nga liqeni 13-vjeçarin, humbi vetë jetën.

I gjithë heroizmi i tij, mbase edhe sot e kësaj dite nuk do të ishte mësuar kurrë, nëse s’do të kishte qenë një shkrim i gazetarit Fatos Baxhaku në të përditshmen “Shqip”. Nën titullin “Heroi që nuk deshëm ta identifikojmë”, u mësua dhe e vërteta.

“Ngjarjen e mësova nga miqtë e përbashkët që kam pasur me të ndjerin Pandi. M’u duk menjëherë një akt heroizmi i pashembullt, në këto kohë egoizmi të madh, apo jo. Në këto kohë kur njeriu shikon vetëm veten e vetë, apo kur shumica shikon xhepin e vetë. Më bëri shumë përshtypje dhe prisja që shumë vetë të reagonin ndaj këtij njeriu të thjeshtë, që nuk kishte bërtitur kurrë, por bëri një akt të tillë vetëflijimi. Shkrimin e bëra gati i revoltuar për mënyrën sesi u paraqit, pasi u tha vetëm fakti që u gjet trupi i pajetë i një 50-vjeçari me sa më kujtohet, ndërkohë që gjysma e Tiranës e dinte që ky person ishte Pandi dhe që kishte dhënë jetën në këto rrethana. Kjo, sepse ai vetë por edhe i vëllai, Vangjeli, kanë shumë shokë, një tradite së cilës i kanë ngjarë edhe fëmijët e tij, duke pasur shumë miqësi e shoqëri. Ndaj dihej se Pandi kishte dhënë jetën duke shpëtuar një fëmijë. Kjo më revoltoi më shumë si qytetar, sesa si gazetar. U ula dhe brenda shumë pak kohe bëra atë shkrim”, rrëfen gazetari dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku.

Raportimi pa detaje mbi ngjarjen duket se nxiti Baxhakun për të bërë shkrimin në formën e një revolte mediatike, ku – sipas tij – heronjtë e vërtetë lihen fatkeqësisht në hije.

“Do të doja që shtypi të ishte më i lidhur me njeriun e thjeshtë sesa është sot. Po të shikojmë informacionet që ne marrim, kemi vetëm politikë, zbavitje, këngëtarë që ndahen apo fejohen e martohen, apo tradhëtohen. Njeriu i thjeshtë, madje në rastin konkret është edhe më larg sesa një lajm i zakonshëm, edhe kur dha jetën për të shpëtuar dikë, përsëri nuk e nxorën në lajme. Do të doja që kolegët të merreshin më shumë me hallet e njeriut të thjeshtë. Është edhe një koncept tjetër që më shtyu për atë shkrim. Neve na kanë edukuar me lloj-lloj heronjsh, disa të qenë dhe disa të paqenë, disa të sajuar e disa vetëm për të bërë propagandë, në fakt njeriu i thjeshtë është ai që mban Shqipërinë dhe Pandi ishte njëri ndër ta”, u shpreh më tej Fatos Baxhaku.

“Heroi që nuk deshëm ta identifikojmë” u shpërnda në mënyre masive në rrjetet sociale, menjëherë pas publikimit, duke hedhur në këtë mënyrë dritë mbi heroin, e vërteta e të cilit deri në ato momente njihej thuajse aspak.

Top Channel