Teatri dhe kinematografia, pasionet e Pandi Toçes

03/02/2015 00:00

Pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi mes teatrit dhe kinematografisë. Rolet e para në skenë, aktori Pandi Toçe i pati në Teatrin e Institutit të Lartë Pedagogjik, në Elbasan, ku studioi për gjuhë-letërsi. Por skena e Fakultetit ishte trampolina, që e hodhi më pas në Teatrin “Skampa” të qytetit, ku luajti të tjera role.

Megjithatë, karriera e tij si aktor profesionist nisi në vitin 1985, në Teatrin e qytetit të vogël verilindor, në Peshkopi, ku punoi për pesë vite me radhë. Gjatë kësaj periudhe, ai luajti në dramën “Më fal baba”, “Hija e tjetrit”, “Nën dritën e skenës”, “Ankohen personazhet”.

Vitet ’90 e gjetën në Tiranë, ku punoi për disa vite si përgjegjës kulture në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në vitin ’97 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, ku punoi në pozicione të ndryshme menaxhuese, deri në prill të vitit 2014. Gjatë këtyre viteve, Pandi Toçe pati edhe dy role në kinematografi.

Në vitin 2008, ai luajti në filmin “Sekretet”, me regji të Spartak Pecanit, si dhe në filmin “Lindje, Perëndim, Lindje” të tre viteve më parë, që të dy filma me kast shumë të mirë aktorësh.

Top Channel