Shqiptari që bën art me pica

03/02/2015 00:00

Në atdheun e picave, ato të tijat janë më të veçantat. Jo vetëm nga shija, por edhe nga forma që të shërbehet. Nëse shkon në vendin e tij të punës, mos u çudit nëse pica që do të konsumosh mund të ketë imazhin e një personi të njohur.

Mikel Helmi është një picier i zakonshëm, por picat e tij nuk janë të tilla. Ato mund të konsiderohen edhe vepra arti.

“Fillimisht nisi si një lojë për mua. Nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija deri në këtë nivel. Nisa të bëja imazhet e kukullave, ndërsa nuk më mungoi edhe inkurajimi nga njerëzit, që më thoshin se isha i aftë dhe kisha mundësi për më shumë. As vetë nuk e besoja, por fillova ta provoja dhe arrita të bëj edhe gjëra më të vështira, me imazhet e personave të vërtetë”, thotë Mikeli.

Megjithëse nuk ka shumë kohë, që ka nisur të shërbejë këtë lloj pice, Mikeli tregon se njerëzit janë shumë të interesuar. Ndoshta edhe për shkak se imazhet janë çdo herë të ndryshme… Por, ka një që është më i pëlqyeri, ai i Papa Françeskut.

“Është vetëm fillimi, prej një muaji bëj gjëra të tilla, jam ende në fazën eksperimentale, por njerëzit i kërkojnë jo thjesht për t’i ngrënë, por më shumë për kuriozitet. Ende nuk e besojnë se vepra të tilla janë edhe për t’u konsumuar”, tregon Mikeli.

Prej më shumë se 20 vitesh larg atdheut, Mikeli tregon se gjithmonë mban me vete një copë Shqipërie, e këtë e tregon edhe në picat që bën, të cilat janë me të njëjtët përbërës si picat e zakonshme.

“Mbrëmë bëra një surprizë për ju, është pikërisht kjo picë me këtë vizatim: E njihni të gjithë, sepse është shqiponja e flamurit kombëtar. Është diçka e punuar me dorë, ka salcë dhe djathë, asgjë më shumë, por është shumë e shijshme për t’u konsumuar. Nuk mund të kërkohet vetëm për kuriozitet. Një picë e tillë kërkon më shumë përqëndrim dhe të jesh në një moment të mirë fantazues për të krijuar diçka të re. Kërkon rreth 20-30 minuta çdo picë për t’u bërë”, shprehet Mikeli.

Megjithëse punon prej 20 vitesh në këtë profesion, nuk është se kjo ishte ëndrra e tij. I diplomuar në shkollën industriale para dy dekadash në Shqipëri, Mikeli thotë se iu fut një rruge, që se dinte ku do e nxirrte.

“Fillimi në Itali ishte i vështirë, sigurisht e nisa nga zero, por edhe për shkak se nuk ke ku të mbështetesh. Edhe opinioni në fillim nuk ka qenë i mirë për ne, megjithatë jam i bindur dhe e them me plotë gojë që italianët janë njerëz mikpritës”, deklaron Mikeli.

Për të provuar një picë kaq të veçantë, duhet shkuar në veri të Venecias, aty ku Mikeli të shërben shije dhe art njëkohësisht.

Top Channel