Andrea Dervishi, babai i 13-vjeçarit që u shpëtua nga Pandi Toçe: Do t’i jemi përjetë mirënjohës!

03/02/2015 00:00

Pasdite në Top Channel nuk ka nguruar t’i marrë një intervistë të shkurtër edhe të atit të 13-vjeçarit, që rrezikoi të mbytej atë mëngjes gushti, kur heroizmi i Pandi Toçes ishte i vetmi mjet shpëtimi për të. Andrea Dervishi thekson se djali i tij është ende i tronditur nga ajo ngjarje dhe refuzon të dalë më nga Liqeni, por familjarisht do t’i jenë përjetë mirënjohës Pandit.

TCH: Zoti Andrea, si e mbani mend ditën kur ndodhi ngjarja?

Andrea Dervishi, babai i 13-vjeçarit të shpëtuar: Ishte mëngjes, rreth orës 6 apo 6 e 30, kur unë mora një telefonatë nga im vëlla, të cilin e kishte lajmëruar vajza e vetë, nëpërmjet së cilës më thanë se Ervisi kishte rënë në liqen, por nuk kishte asnjë gjë për t’u shqetësuar. Për momentin, ashtu siç isha përgjumësh, nuk e kuptova çfarë kishte ndodhur dhe ika me vrap në vendngjarje me makinë. Aty kishte shkuar im vëlla më parë, por ku u gjenda atje pashë shumë policë dhe një ‘skenë krimi’ të vendosur prej tyre. Për momentin u shokova sepse mendova më të keqen, thirra menjëherë emrin e djalit, kur papritur e shoh atë të ishte shëndoshë e mirë. Ndërkohë, policët më njoftuan se nuk kishte asnjë problem për djalin, sepse një tjetër person kishte humbur jetën për të shpëtuar tim bir. Mbeta pa fjalë, edhe pse e shihja djalin që e kisha përpara syve, nuk më besohej. Isha shumë i shokuar.

TCH: Si ka qenë djali juaj psikologjikisht, e ka përjetuar këtë ngjarje?

Andrea Dervishi: Djali e ka përjetuar shumë rëndë ngjarjen. Ende edhe sot, nëse e hapim këtë bisedë dhe flasim për të sesi ndodhi ngjarja, ai përsëri preket shpirtërisht. E shikoj si prind që ai nuk ka dëshirë t’i përmendet fjala ‘Liqeni’, apo xhirot përreth tij, madje edhe ‘plazhin’ apo ‘detin’. Është ende i prekur edhe ai, për shkak të moshës, është ende fëmijë. Fjalët e para që tha ishin: Ç’desha unë që shkova poshtë liqenit, doja të rrëshqisja, ishte faji im. E ndien veten sikur është ai fajtor për ngjarjen, por faktikisht nuk është kështu, ai ishte duke bërë xhiro dhe rrëshqiti.

TCH: A ka ndikuar te pjesëtarët e tjerë të familjes kjo ndodhi? A dilni më ju nga Liqeni?

Andrea Dervishi: Dy herë kam kaluar vetë rastësisht, por nuk kam qejf ta ndjek atë rrugë. Kam shkuar Sa herë kam kaluar në atë rrugë më vijnë përfytyrimet e ngjarjes që ndodhi atë ditë, njerëzit dhe policia që ishin mbledhur, thjesht nuk kam dëshirë ta ndjek atë rrugë. Edhe djemtë që kam nuk kanë shkelur prej asaj dite nga Liqeni. Përpara saj dilnin thuajse çdo ditë për xhiro apo për të bërë vrap, ashtu sikurse dhe mbesat e mia, por tani nuk dalin më.

TCH: A keni ndonjë mesazh për t’i dhënë familjes së Pandi Toçes?

Andrea Dervishi: Sigurisht që kemi. Mesazhi ynë është Zoti u dhënë kurajo dhe falenderime për atë njeri. Ai njeri për ne është hero, është një njeri shumë i nderuar dhe shumë i lartë për ne. Nuk janë të gjithë njerëzit në kohët e sotme që mund të bëjnë një veprim të atillë, një xhest human. Kushdo të jetë sot vështirë ta përsërisë atë veprim heroik të Pandit. Nuk besoj se ndonjë do të mund të hynte në Liqen në 6 të mëngjesit për të shpëtuar një tjetër person të rrezikuar. Është për t’u përmendur dhe nuk do ta harrojmë kurrë.

Top Channel