Partia më e madhe opozitare në Shkup, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka paralajmëruar padi penale kundër kryeministrit Nikolla Gruevski, për shkak të incizimit dhe përgjimit të kreut partiak, Zoran Zaev.

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov tha se dëshmi për përgjimin e paligjshëm të liderit opozitar nga ana e kryeministrit është video-materiali i publikuar nga një takim midis dy liderëve në ambientet e qeverisë.

“Nikolla Gruevski e ndjek, e përgjon dhe e incizion liderin e opozitës prej një kohe të gjatë. Nikolla Gruevski i incizon të gjithë ata që shkojnë për takime politike në kabinetin e tij. Veprime të tilla janë shembuj të pakrahasueshëm dhe të papreçedent në Evropë dhe gjithë botën demokratike”, deklaroi Shilegov.

Kryeministri Gruevski dhe lideri opozitar Zoran Zaev, në një video të publikuar nga një televizion maqedonas në Shkup, shihen duke diskutuar rreth dëshmive të paralajmëruara nga opozita për aferat e rënda kriminale që ajo i atribuon qeverisë. Gjatë bisedës, kreu i opozitës dëgjohet duke i thënë kryeministrit se materialet i ka siguruar nga shërbimet e huaja.

Analistët në Shkup thonë se akuzat e ngritura nga pushteti kundër drejtuesit të opozitës maqedonase për puç shtetëror dhe paralajmërimet e opozitës për publikimin e aferave të rënda të qeverisë, jo vetëm që do të thellojnë përçarjet, por mund të rrezikojnë seriozisht stabilitetin e vendit.

“Rrugëdalja do të jetë vetëm me një proçedurë për zgjedhje të parakohshme dhe me qeveri teknike, e cila do të jetë bartëse dhe përgjegjëse për zgjidhjen e krizës dhe për organizimin e zgjedhjeve parlamentare korrekte dhe demokratike”, thotë Osman Kadriu.

Shqetësime për situatën e fundit në Maqedoni ka shprehur edhe faktori ndërkombëtar. Zyrtarë të lartë nga Brukseli por edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në Shkup kanë bërë thirrje që procesi i hetimit lidhur me akuzat e ngritura kundër liderit të opozitës për puç shtetëror të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe transparente.

Top Channel