30 vite mes fishave dhe përcjellësve të zërit

03/02/2015 00:00

Të gjithë e kujtojnë me nostalgji Zanën, centralisten e filmit “Rrugë të bardha”, apo radhët e gjata në kabinat e PTT-së, për të kryer një telefonatë, si e vetmja mënyrë komunikimi e kohës. Falë telefonit, në rastet më klasike, njerëzit njoftonin për sëmundjet, sebepet, lindjet dhe vdekjet…

Personazhi i filmit është frymëzuar nga një centraliste e vërtetë, mbase më e mira për kohën. Ajo quhet Urani Muçaj dhe është 87 vjeç. 30 vite të jetës së saj i ka kaluar në Drejtorinë e PTT-së, mes fishave të ndërlidhjes dhe kufjeve për përcjelljen e zërit.

Sot nënë Urania është rikthyer në centralin e tipit “rus”, për të kujtuar vitet e punës. Edhe pse duart i dridhen nga mosha, mënyrën e përdorimit dhe çdo funksion të fishave e njeh ende shumë mirë.

“Ndër këto fishat e brendshme, nëse zgjedh njërën dhe e vendos në një pozicion të tillë, atëherë ke mundësi të përdorësh këto dy funksione: me njërën i përgjigjesh, ndërsa me tjetrën i bie abonentit që kërkon për të biseduar. Për shembull, nëse një person bën një kërkesë, atëherë unë duhet të fus fishën në një vend të caktuar, dhe nis ta bëj lidhjen me një tjetër buton. Nëse abonenti i kërkuar është jashtë, atëherë ky central nuk është automatik, por do e marrësh me diskun tënd, t’i biesh numrit të tij deri sa të dalë personi. Më pas e kontrollon personin nëse flet apo jo. Nëse jo, i përgjigjesh personit tjetër, duke u dhënë përgjigje secilit prej tyre. Do e përgjoje gjatë gjithë kohës deri sa të mbaronte dhe më pas bëje mbylljen e lidhjes. Në atë kohë krijoja lidhje me 200 numra në ditë”, thotë Urani Muçaj.

Me qindra jetë janë shpëtuar nga ish-centralistja, e cila ka mundur të njoftojë në kohë spitalin, policinë apo zjarrfikëset.

Komunikimi i ditëve tona me fax, celularë, “I Phone”, “I Pad” duket si fantashkencë, kur shikon pajisjet që përdorte Urania. Edhe pse profesioni i centralistes sot është zhdukur plotësisht, vitet e punës do të mbeten një kujtimi i bukur për t’ua treguar nipërve dhe mbesave.

Top Channel