Vetëvendosja shtyn protestën e së mërkurës, por kërkon kthimin e ligjit për Trepçën

03/02/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka shtyrë protestën e paralajmëruar për të mërkurën, pasi kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviç, nuk është më në kabinetin qeveritar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në konferencë për media tha se përmbushja e kërkesës për largimin e Jabllanoviç është fitore e qytetarëve të Kosovës. Ymeri shtoi se nuk do të kishte gjasë, që një fitore e tillë të arrihej në Kuvend.

“Ikja e Jabllanoviç është një fitore për qytetarët që protestuan në shesh. Kështu u përmbush një kërkesë, por do të ishte mirë të dihej nëse bëhet fjalë për një dorëheqje apo për shkarkim. Gjithsesi, protesta shtyhet për një ditë tjetër”, ka thënë Visar Ymeri, kryetar i grupit kuvendor të VV.

Ymeri tha se është e rëndësishme të dihet, nëse Jabllanoviç është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqje.

Lidhur me protestën e radhës të Lëvizjes Vetëvendosje, me kërkesë kthimin në Kuvend të ligjit për Trepçën, deputeti Ymeri tha se asaj i shtohet edhe kërkesa për lirimin e të arrestuarve gjatë protestës së 24 janarit.

Ndërkohë, në një komunikim më vonë gjatë së martës, Vetëvendosje deklaroi se po vazhdojnë arrestimet e
aktivistëve të saj edhe pas pezulllimit të protestës. “Aktivistët po
riarrestohen. Kështu, policia në orët e pasdites ka arrestuar edhe një
herë aktivistin Egzon Azemi, i cili ishte i arrestuar edhe ditën e 27
janarit”, shkruhej në një njoftim nga VV.

Në anën tjetër, Nisma për Kosovën, si parti opozitare që ka mbështetur protestën, ka reaguar përmes një komunikate për media, ku thuhet:

“Duke pasur parasysh faktin se njëra nga kërkesat e protestës, që ishte largimi i ministrit Jabllanoviç nga qeveria, është plotësuar, konsiderojmë se qëllimi i protestës është arritur, prandaj sa i përket kësaj çështjeje nuk ka më nevojë që të dilet në protestë. Ndërsa sa i përket kërkesës së dytë, çështjes së Trepçës, presim që qeveria të reflektojë dhe ta sjellë ligjin sa më shpejt në Parlament”.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka deklaruar se “Populli duhet ta shohë këtë akt të Jabllanoviçit si fitore, jo ndaj komuniteteve joshqiptare, por si fitore të popullit përballë numrave që ka ekzekutivi në Kuvendin e Kosovës”.

Top Channel