Banorët llogarisin koston e përmbytjeve, dëmi më i madh tek blegtoria

03/02/2015 00:00

Përmbytja për fat të mirë nuk shkaktoi dëme në njerëz, ndaj një ditë më pas të gjithë llogarisin dëmet financiare. Kafshët e pësuan më keq në këtë histori.

Duke shpjeguar humbjet, barinjtë thonë se qingjat që mungojnë i numërojnë nga blegërimat e deleve. Sipas barinjve, delet thërrasin të vegjëlit kur nuk i gjejnë. Ata tani kërkojnë nga komuna dëmshpërblim.

“Arritëm që të shpëtonim disa. Llogaritja është 7 qengja. Të paktën të mbajmë gjallë këto që shpëtuam. I kam kërkuar ndihmë komunës, por asnjë nuk është paraqitur. Le të vijnë e të na shohin”, thotë një prej tyre.

“Presim nga shteti të na ndihmojë, kanalizimet janë drangull të gjitha”, ankohet një tjetër.

Ai që ka shpëtuar lopët ndihet më i çliruar, të tjerë përpiqen ta mbajnë gjallë, disa të tjerëve u ka humbur. “Të vijë shteti të më thotë mua ç’hall ke”, proteston një prej tyre.

Shtëpitë mbeten ende në ujë. Disa nga banorët e fshatit kanë filluar të pastrojnë, të tjerë presin nga organet shtetërore. Por ka edhe shtëpi që janë kthyer në ishuj. “Ne këtë kishim, shteti le të vijë e të shohë”, shprehet një grua.

Bishani është një fshat i madh që kërkon vëmendje, por jo vetëm kaq. Sipas tyre, dalja në autostradë do t’i ndihmonte shumë, qoftë dhe në rast përmbytjeje.

Top Channel