Pedagogët kundër draft-ligjit për arsimin e lartë: Cënon autonominë

03/02/2015 00:00

Profesorë të Universitetit të Tiranës të bashkuar në Forumin për Liritë Akadamike dhe Autonominë Universitare kanë kundërshtuar draftin e ri të Ministrisë së Arsimit, ku ngritja e agjensive që parashihet në ligj sipas tyre ka vetëm një synim.

Mark Marku, pedagog: Ky projektligj cënon rëndë autonominë akademike dhe universiteteve.

Zydi Dervishi, pedagog: Është një maskë për të mbuluar ushtrimin e pushtetit nga qeveria.

Blendi Çeka, pedagog: Universitetet publike bëhen shumë më të centralizuara, shumë më të varura, pse jo edhe politikisht nesër. Kthehen nga pikëpamja e menaxhimit në ndërmarrje që duhet të mbijetojnë duke kërkuar fonde.

Dhurata Shehri, pedagoge: Të gjithë e dimë që problemi më i madh është mungesa e cilësisë. A do të japim ndonjë zgjidhje se si rritet cilësia? Në fakt aty nuk japin zgjidhje, por krijohen më shumë probleme se sa zgjidhen.

Me bindjen se projekti në këtë formë do të shkatërrojë arsimin në breza të tërë, Forumi përmes një deklarate me tetë pika i kërkon Ministrisë kohë dhe konsultime të gjëra.

“Nëse vazhdon përpjekja për të cënuar liritë akademike dhe lirinë universitare, ne do i përgjigjemi me të gjitha mjetet demokratike që kemi në dispozicion që lejon Kushtetuta, deri edhe në grevë”, paralajmëroi pedagogu, Mark Marku.

“Ata janë të lirë të zhvillojnë greva dhe protesta për çfarë të duan, por një ligj ende nuk e kanë në dorë, sa kohë që është një draft-diskutim i ligjit që është produkt i raportit që u diskutua nga universitetet”, kundërpërgjigjet Ministrja Lindita Nikolla.

Në këtë reagim të parë marrë nga Top Channel, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla thotë se për herë të parë në hartimin e një ligji për arsimin e lartë është marrë tre herë mendimi i profesoratit dhe nuk duhet keqkuptuar qëllimi i ligjit përsa i takon autonomisë.

“Nuk ka një agjensi që i kundërvihet universiteteve. Ligji ka më shumë autonomi, ligji mbron më shumë liritë akademike të profesoratit, ligji adreson paratë publike tek rezultatet. Para publike për të gjitha institucionet e arsimit të lartë që përdorin gjithcka për autonominë, për cilësinë”, thotë Ministrja Nikolla.

Ministrja shton se drafti nuk ka marrë ende formën finale të projektligjit. Ai do të diskutohet sërish nga Komisioni dhe do të shoqërohet me konsultime të gjera.

Top Channel