Banorët e Darzezës mundohen të shpëtojnë bagëtitë

03/02/2015 00:00

Familja e Ruzhdi Hoxhës u shpërngul të hënën nga fshati Darzezë dhe si shumë fqinj të tyre ata u strehuan tek të afërmit. Mëngjesin e së martës djemtë e tij siguruan një gomone me qëllim rikthimin në banesën që u përmbyt.

Udhëtimi i gjatë dhe i vështirë në mes të liqenit të sapokrijuar ka vijuar deri pranë banesave të familjes Hoxha. Dëmet nga uji janë shumë të mëdha, por duket se familjet janë mësuar me to, për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme.

Kjo familje jeton vetëm me blegtorinë dhe bujqësinë. Tokat e saj janë të gjitha nën ujë, ndërsa shqetësimi kryesor janë bagëtitë. Ujërat e një nate më parë kanë mbytur pjesën më të madhe të tufës në këtë stallë.

Heqja e kafshëve të ngordhura është bërë menjëherë, ndërsa për delet e mbetura banorët shpresojnë se do të mund t’i mbajnë gjallë edhe disa ditë, derisa ujërat të largohen. Në zonë, përveç staneve të banorëve të zonës ka edhe shumë të ardhur që zgjedhin të dimërojnë bagëtitë atje, për shkak të kullotave.

Një motobarkë e emergjencave civile ka udhëtuar drejt një ishulli ku ndodhen disa barinj me qindra kokë dele. Atyre iu është dërguar ushqime dhe ujë i pijshëm për shkak se ndodhen të izoluar prej tre ditësh.

“Nesër do përkeqësohet situata, ne duam të largojmë njerëzit që këtu. Ose lini një ose dy vetë këtu, sepse pjesa tjetër do të largohet”, paralajmëroi një oficer policie”.

“Normale, por vetëm po u bë keq do të ikim”, u përgjigj një bari.

Askush nuk bindet që të largohet sepse askush nuk do të humbasë bagëtitë me të cilat familjet e tyre jetojnë. Barinjtë marrin kontaktet e telefonave për të njoftuar nëse uji rikthehet sërish. “Asnjë nuk mban përgjegjësi, por thonë tërhiqni njerëzit dhe të tjerat të mbeten këtu”, ankohet një prej tyre.

Janë me qindra persona që nuk pranojnë të evakuohen nga zonat e përmbytura, apo ata që rikthehen në banesë për të shpëtuar kafshët që i rezistuan përmbytjes.

Top Channel