Tsipras nis turin europian nga Roma, Renzi i dhuron një kollare

03/02/2015 00:00

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras nisi nga Roma turin e vizitave zyrtare nëpër kancelaritë më të mëdha europiane, ku në qendër të diskutimeve do të jetë borxhi grek.

Në Romë ai u prit nga homologu italian, Matteo Renzi. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri italian deklaroi se rezultati i zgjedhjeve greke nuk duhet lexuar si një mesazh frikë, por si mesazh shprese për të parë se kush po e pëson në të vërtetë krizën.

“Suksesi i Syriza-s është një sukses i bazuar te shpresa dhe jo te frika. Kemi të njëjtën moshë dhe megjithëse i përkasim familjeve të ndryshme politike europiane, kemi të përbashkët idenë për t’i rikthyer politikës mundësinë për të ndryshuar gjërat”, tha Renzi.

Nga ana e tij, Kryeministri grek ritheksoi atë që ai e quan ‘nevojë për të ndryshuar Europën e për ta ndërtuar atë mbi bazën e reformave që sigurojnë rritje ekonomike dhe jo mbi bazën e politikave të frikës dhe pasigurisë.

Kreu i radikalëve të majtë në Greqi, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 25 janarit me premtimin për të rishikuar marrëveshjet dhe raportet që ka Athina me huadhënësit ndërkombëtarë, përveç pikëpamjeve politike shquhet edhe për stilin e tij të veshjes, duke u shfaqur në çdo dalje publike a takim zyrtar pa kollare.

Ky detaj, që nuk i ka shpëtuar mediave, nuk i ka shpëtuar as Kryeministrit italian, Matteo Renzi i cili në fund të konferencës së përbashkët për shtyp i ka dhuruar homologut grek një kollare për “ta vendosur kur të dalë Greqia nga kriza”.

Top Channel