Tjetër hap i gabuar i Bajernit të Mynihut

03/02/2015 00:00

Pas Volfsburgut është Shalke që ka arritur të marrë pikë në ndeshjen ndaj Bajernit të Mynihut në Bundesligë.

Bavarezët u frenuan në shtëpi me rezultatin 1-1, në një ndeshje ku luajtën për më shumë se 70 minuta me një lojtar më pak, pasi Boateng u largua me karton të kuq në minutën e 18.

Pavarësisht inferioritetit numerik Bajerni arriti të shënonte i pari në minutën e 65 me holandezin Robben, por avantazhi i vendasve zgjati vetëm 5 minuta, pasi Howedes barazoi shifrat.

Me 10 lojtarë kampionët e Gjermanisë nuk arritën më dot te goli duke shtyrë sërish fitoren në këtë 2015-të. Megjithatë ky barazim nuk është se kërcënon pozitat në renditje, pasi Volfsburgu i vendit të dytë nuk mori më shumë se një pikë në transfertë me Frankfurtin. Diferenca mes dy kryesuesve vazhdon të mbetet 8 pikë.

Top Channel