Mobilizohet Jordania: Do të hakmerremi ndaj ISIS për vrasjen e pilotit

04/02/2015 00:00

Jordania është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e pilotit të saj të Forcave Ajrore, Moaz al-Kassabeh nga militantët e Shtetit Islamik.

Reagimi i Jordanisë ka ardhur menjëherë pas publikimit të një video në rrjetet sociale ku pretendohet se piloti është djegur i gjallë. Jordania ka konfirmuar vdekjen edhe pse autenticiteti i video ende nuk është vërtetuar.

Mamdouh al-Ameri, një zëdhënës i Forcave të Armatosura jordaneze tha të martën se, “Kassabeh ra si një martir. Gjaku i tij nuk do të derdhet kot. Hakmarrja jonë do të jetë aq e madhe sa dhe humbja e jordanezëve”.

Piloti 26-vjeçar u zu rob prej ekstremistëve në dhjetor në qytetin e Raqqa-s në Siri, pasi rrëzimit të avionit të tij F-16. Mbreti Abdullah ka thënë se është detyrë e çdo jordanezi për të qëndruar të bashkuar. Ndërsa ushtria është zotuar për intensifikim të sulmeve ndaj militantëve të ISIS.

Me qindra persona janë grumbulluar në Aman, duke kërkuar hakmarrje ndaj vrasësve të nënkolonelit Kassabeh, ndërsa të tjerë donin të dinin se pse Jordania ishte përfshirë në sulmet ajrore ndaj Shtetit Islamik.  

Amani kishte shprehur gatishmërinë për të liruar xhihadisten Sajida al-Rishawi në këmbim të jetës së ushtarakut 26-vjeçar.

Më herët, ISIS kërkoi lirimin e Sajida al-Rishawi në këmbim të jetës së Kassasbeh. Al-Rishawi, një grua e irakiane e lidhur me Al Kaedan dhe e arrestuar në vitin 2005 si pjesë e një serie sulmesh terroriste është e dënuar me vdekje nga drejtësia jordaneze.

Tashmë, zyrtarët jordanezë kanë deklaruar se al-Rishawi do të ekzekutohet së bashku me tre militantë të tjerë të dënuar.

Top Channel