Tajvan, rrëzohet në lumë një avion, 19 viktima e 24 të zhdukur

04/02/2015 00:00

Një aksident i rrallë ajror u ka kushtuar jetën të paktën 19 personave në Tajpei të Tajvanit. Avioni i “TransAsia” me të cilin udhëtonin preku një urë e u rrëzua në lumin Keelung, pranë kryeqyteti tajvanez. Bëhet fjalë për një fluturim të brendshëm.

Nga 58 personat në bordin e avionit “ATR-72”, një deklaratë nga zyra e Kinës për Marrëdhëniet e Jashtme me Tajvanin, 31 prej tyre ishin turistë. Një pjesë e mirë e tyre ishin turistë nga Kina. Ekipet e shpëtimit kanë sharruar trupin e avionit në përpjekje për të shpëtuar njerëzit e bllokuar brenda tij.

Wu Chun-hong, drejtori i Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit të Tajpeit, tha për reporterët se 19 persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 persona kanë mundur t’i mbijetojnë përplasjes, me 24 të mbeturit (nga 58 në total) që rezultojnë të zhdukur.

Filmime amatore të ngjarjes, të realizuar prej personave në automjetet që kalonin aty pranë, tregojnë sesi avioni anohet fort, godet një taksi e pastaj urën, përpara se të rrëzohej në lumë.

E themeluar në 1951-shin, si kompania e parë private e Tajvanit, që kryen fluturime të brendshme, “TransAsia” më vonë e zgjeroi veprimtarinë e saj edhe jashtë kufijve.

Korrikun e vitit të kaluar, një avion i kësaj linje ajrore u rrëzua në kushtet e një moti të stuhishëm në arkipelagun Penghu. Autoritetet tajvaneze pohuan më vonë se aksidenti kishte qenë pasojë e gabimeve të pilotit.

Agjencia e lajmeve tajlandeze ka publikuar edhe një video me pamje pak pas rrëzimit të avionit. Kliko këtu për videon.

Top Channel