Jordania kundërpërgjigjet ende pa u gdhirë, varen dy militantë irakianë

04/02/2015 00:00

Nga kërcënimi te veprat, Jordania nuk është menduar gjatë… Mbretëria arabe në Lindjen e Mesme ka ekzekutuar me varje dy xhihadistë irakianë gjatë së mërkurës, përfshi një militante femër, në kundërpërgjigje ndaj videos së Shtetit Islamik, ku shfaqet piloti jordanez i djegur për së gjalli nga grupi ekstremist.

Shteti Islamik kishte kërkuar lirimin e kamikazes Sajida al-Rishawi në këmbin të pengut japonez, i cili më pas u ekzekutua me prerje koke. E dënuar me vdekje në vitin 2005 për rolin e saj në një sulm vetëvrasës me bombë në Amman, Rishawi u ekzekutua në agim, bënë të ditur një burim i sigurisë dhe televizioni shtetëror.

Jordania, e cila është pjesë e aleancës së udhëhequr nga Amerika kundër Shtetit Islamik, ka premtuar një “kundërpërgjigje tronditëse” për vrasjen e pilotit të saj, Muath al-Kasaesbeh, i cili ishte marrë peng në dhjetor, kur avioni i tij F-16 u rrëzua në verilindje të Sirisë.

Autoritetet kanë ekzekutuar gjithashtu një të burgosur të lartë të Al Kaedës, një irakian që ishte dënuar me vdekje në vitin 2008, Ziyad Karboli.

Fati i Kasaesbeh, anëtar i një fisi të madh që përbën “shtyllën kurrizore” të mbështetjes për monarkinë hashemite të vendit, kishte kapluar Jordaninë prej javësh, ndërkohë që shumë jordanezë kritikonin Mbretin Abdullah për përfshirjen e tyre në luftën e udhëhequr nga Amerika, gjë që sipas tyre do të provokojë një përplasje mes militantëve.

Ushtria jordaneze ka premtuar se do të hakmerret për vdekjen e tij, ndërsa disa analistë besojnë se mund të përshkallëzohet angazhimi i saj në fushatën kundër Shtetit Islamik, një grup ekstremist që ka pushtuar rajone të tëra në Irak dhe Siri, shtete fqinje me Jordaninë.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të vendit, Mamdouh al-Ameri, deklaroi se togeri Kasaesbeh ka rënë si martir.

“Gjaku i tij nuk është derdhur kot. Ndëshkimi dhe shpagimi ynë kanë për të qenë po aq të mëdha, sa edhe humbja e jordanezëve”, tha Mamdouh al-Ameri, zëdhënës i ushtrisë jordaneze.

Mbreti i Jordanisë, Abdullah, e cilësoi Kasaesbehun një hero, e deklaroi se Jordania duhet të qëndrojë e bashkuar përballë vështirësive.

Pas lajmit të vdekjes së tij, monarku ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara, edhe pse përpara se të merrte rrugën e kthimit, mbrëmjen e së martës e takoi Presidentin amerikan Barack Obama.

Më herët, shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte shprehur se vigjilenca dhe vendosmëria e koalicionit global duhet dyfishuar, në mënyrë që xhihadistët e ISIS-it të goditen ashpër e të mposhten.

Të burgosurit u ekzekutuan në burgun Swaqa, një ambient i madh i sigurisë së lartë rreth 70 km në jug të kryeqytetit Amman, pikërisht përpara agimit, tha një burim i sigurisë për “Reuters”. “Ata ishin tepër të qetë dhe nuk shfaqën asnjë emocion, thjesht u lutën”, tha burimi, pa u identifikuar.

Rishawi, rreth të 40-ave, ishte dënuar me vdekje për rolin e saj në një sulm vdekjeprurës në hotelin luksoz të Ammanit, në vitin 2005. Ajo mendohej të kishte vdekur në atë sulm, më i keqi në historinë e Jordanisë, por bombat në trupin e saj nuk shpërthyen.

Dhjetëra jordanezë të irrituar nga vrasja e Kasaesbeh u mblodhën në mesnatë në sheshin kryesor të Ammanit, duke bërë thirrje për hakmarrje dhe ekzekutimin e saj të menjëhershëm.

Top Channel