Reshjet, Autoriteti Rrugor raporton situatën në akset nacionale të vendit

04/02/2015 00:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar sot mbi situatën e rrugëve në të gjithë vendin. Sipas të dhënave, mbledhur mëngjesin e sotëm, në Qarkun e Tiranës nuk ka probleme, edhe pse në disa zona ka reshje dëbore.

Në Qarkun e Durrësit kërkohet kujdes për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Në Elbasan shënohen probleme: kështu në rrugën Librazhd-Fushë Studë ka 40 centimetra dëborë. Rruga drejt Steblevës është e bllokuar. Në aksin nacional Librazhd-Qafë Thanë ka 25 centimetra dëborë, por rruga është e kalueshme pa zinxhirë. Vijon e bllokuar rruga Elbasan-Gjinar për shkak të shembjes, ndërsa është bllokuar nga dalja e Osumit dhe rruga Cerrik-Gramsh dhe qarkullimi bëhet nga aksi Gramsh-Kaçivel-Elbasan. Rënie gurësh e dherash ka patur edhe në Derven, në aksin Elbasan-Rrogozhinë.

Në Qarkun e Beratit ka rënie gurësh në rrugën Ura e Pilzës-Çorovodë.

Në Vlorë është e mbyllur rruga e vjetër në Urën e Mifolit për shkak të ujit, si dhe është dëmtuar kjo urë në autostradën e re Fier-Vlorë.

Autoriteti Rrugor kërkon të shmanget lëvizja në akset e përmbytura nga Vjosa edhe në zonën e Fierit, ku nuk ka rrugë të bllokuara përveç zonës së Darzezës dhe Ferrasit, ku rrugët rurale në thellësi të përmbytjes nuk mund të kalohen.

Në Gjirokastër problem mbetet rënia e gurëve në vendin e quajtur “Shkalla e zezë” në rrugën nacionale.

Në Korçë ka reshje dëbore, rrugët janë të hapura por rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në akset që kanë një histori të shpeshtë bllokimesh.

Në Qarkun e Kukësit ka shembje në rrugën Traget-Lekbibaj, ndërsa në aksin Bajram Curri-Valbonë trashësia e dëborës ka arritur në 1.3 metra.

Në Dibër, edhe pse ka reshje nuk raportohen rrugë me probleme. Në Shkodër raportohen probleme me rrëshqitjen e rrugëve në zonën e Pukës, por qarkullimi nuk është ndërprerë.

Top Channel