Arrestohen dy policë, falsifikuan emrin e skafistit në kërkim

04/02/2015 00:00

Dy oficerë policie në Vlorë janë arrestuar ditën e martë nga kolegët e tyre të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, sepse akuzohen se kanë ndihmuar të pajiset me pasaportë me të dhëna të falsifikuara, shtetasin Viron Robaj, një nga skafistët e akuzuar për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004, ku humbën jetën dhjetëra persona në një gomone në det.

Të ndaluarit janë inspektor Leonel Begaj, me detyrë pranues për dokumentacionin e personave që aplikojnë për t’u pajisur me pasaporta në Komisariatin e Policisë Vlorë, dhe kryeinspektori Lirim Lamaj, me detyrë ndihmës-specialist.

Ndalimi i tyre u bë pasi Prokuroria e Vlorës, mbi bazën e një hetimi të SHKB-së ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të këtyre punonjësve, për kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që i ka për detyrë, të kryera në bashkëpunim.

Është dokumentuar se punonjësit e policisë Leonel Begaj, me cilësinë e personit që pranon aplikimet për pajisje me pasaportë biometrike, në bashkëpunim me punonjësin e policisë Lirim Lamaj, në cilësinë e punonjësit të policisë që kryen verifikimin e të dhënave të aplikimit, kanë përgatitur praktikën përkatëse për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit Viron Robaj, me gjeneralitetet e shtetasit F. K. në 27 nëntor 2014.

Shtetasi Viron Robaj ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen”, për arsye se është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, me 25 vjet burg, për tragjedinë e datës 9 janar 2004.

Shtetasi Viron Robaj është arrestuar në Itali nga policia italiane, e cila e ka identifikuar me anë të gjurmëve. Atij iu sekuestrua pasaporta me të dhëna të rreme, me gjeneralitetet e shtetasit F.K.

Top Channel