Greqia lobon fort për borxhin dhe programin e saj përpara samitit të BE

04/02/2015 00:00

Megjithëse nuk ka pasur konferencë të përbashkët shtypi pas takimit të kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, me kreun e KE-së në Bruksel, Jean Claude Juncker, burime gazetareske bëjnë me dije se buzëqeshjet e fotografive të fillimit nuk kanë qenë edhe aq të ngrohta, gjatë bisedës 90-minutëshe me zyrtarin e lartë europian, mbrojtës i vijës së ashpër të masave të kursimit.

Tsipras, që më pas është takuar edhe me kreun e BE-së, Donald Tusk, si dhe me Presidentin e PE-së, Martin Schulz, ka ritheksuar se Brukseli duhet të ndryshojë politikën ndaj Greqisë, ndërsa Athina ndodhet në rrugën e duhur për një zgjedhje jetësore.

“Jam shumë optimist se ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, në mënyrë që të gjejmë një marrëveshje të përbashkët, një zgjidhje kompromisi për të ardhmen tonë të përbashkët. Qëllimi ynë është të respektojmë mandatin, që na dha populli grek, dhe rregullat e BE-së, ne duam ta korrigjojmë këtë kuadër dhe jo ta shpërbëjmë”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Në të njëjtën kohë, me interes të madh ndiqej nga mediat edhe takimi i ministrit të Financave, Varoufakis, në Frankfurt, me kreun e BQE-së Mario Draghi.

“Ne patëm një diskutim shumë të frytshëm dhe shkëmbyem mendime në lidhje me kufizimet, rregullat dhe kushtet, në procesin me të cilin duhet të ndahen marrëdhëniet midis Greqisë, eurozonës dhe BQE-së”, tha JanisVaroufakis, ministër Financash.

Siç dihet, BQE mban një pjesë të obligacioneve greke me vlerë 27 mld euro, por “hap ose mbyll” edhe rubinetin e likuiditetit bankar, nëse bankat greke duan parà për shërbimet e ndryshme, kur më shumë se 10 mld euro janë tërhequr nga depozitat e tyre në tre muajt e fundit.

Ndërkohë, Greqia duhet të paguajë brenda këtij viti rreth 20 mld euro detyrime ndaj huadhënësve të saj. Nëse Athina është nën mbikëqyrjen e europianëve, BQE mund ta mbështesë financiarisht, nëse jo atëherë Greqia do të ketë problem të madh financiar, i cili mund të zgjidhet vetëm nëse Draghi vepron me nismën e tij, ndaj janë të shumtë analistët e huaj, që thonë se fati i Greqisë varet në këtë periudhë afatshkurtër edhe në firmën e kreut të BQE.

Nga ana tjetër, Athina përpiqet të vendosë edhe urën e fundit dhe më të rëndësishmen lidhëse në BE, atë me Berlinin.

“Jam duke shkuar në Berlin, ndërsa jam jashtëzakonisht i etur për t’u takuar jo vetëm me një ministër të Financave, por me një fuqi intelektuale që qëndron pas projektit të BE-së dhe unionit monetar, me Dr. Schauble”, tha JanisVaroufakis, ministri grek i Financave.

Nga ana e tij, Tsipras do të nxjerrë përfundime edhe nga këshillat e takimit me Presidentin francez, Francois Hollande, që luan rolin e ndërmjetësit më të fuqishëm midis Athinës dhe Berlinit. Edhe Parisi nuk është dakord me një reduktim të borxhit grek, duke i mëshuar vijës së reformave, Francois Hollande po detajon strategjinë që të dy palët, në samitin e BE-së javën e ardhshme në Bruksel, të gjejnë një të mesme të përpjesshme, jo vetëm për të mirën e Greqisë, por edhe për të ardhmen e qëndrueshme të unionit.

Top Channel