Dhjetë hapa për të mbyllur “hesapet” me të kaluarën

04/02/2015 00:00

Disa njerëzve, veçanërisht të ndjeshëm për nga natyra, u duket si e
pamundur që të harrojnë një histori dashurie të shkuar. Nëse po kaloni
një moment të tillë, artikulli më poshtë është ai që bën për ju në këtë
moment.

Pasi përfundon një histori dashurie ka nga ata persona të cilët, edhe pse kanë kaluar shumë vite nuk arrijnë ta harrojnë dot. Ish e dashura apo ish i dashuri bëhet protagonist i padiskutueshëm i mendimeve gjatë ditës dhe natës, madje duke pushtuar edhe ëndrrat dhe pushimet e kafes.

Por si mund t’ia bëni për t’u çliruar nga fantazma e tij/saj një herë e përgjithmonë?  Disa sugjerime janë pothuajse të ditura: eliminoni fotot dhe të gjitha kujtimet e ngjashme; por ka edhe disa detaje të tjera, të cilat mund t’jua bëjnë më të lehtë harrimin e të shkuarës. Ndaj zbulojini më poshtë dhjetë hapat për ta mbyllur me të “djeshmen”.

Eliminoni fotot

Fotot absolutisht duhen eliminuar, mbase me një flakë të vogël, për t’u shkrumbuar më pas të gjitha, ose thjesht duke i bërë “delete” nga kompjuteri apo telefoni juaj; shmangini mbrëmjet melankolike të bazuara te ndonjë çokollatë dhe te nostalgjia me një muzikë dëshpëruese në sfond.

Eliminojini letrat dhe kujtimet e tij/saj

Të gjitha dhuratat e tij/saj duhen hedhur rigorozisht në plehra. Të njëjtin fat duhet të kenë edhe letrat. Por, përpara se t’i digjni, duhet të dini se do t’i hapni telashe vetes nëse i lexoni sërish.

Pranojeni ndarjen

Duket e thjeshtë ta thuash, por ky është hapi më i komplikuar, absolutisht thelbësore për t’ia dalë që të kaloni dhimbjen. Duhet ta bindni me patjetër veten se ajo histori ka marrë fund dhe se nuk ka më asnjë vlerë për një mundësi tjetër.

Largojini miqtë që ju bëjnë të ndiheni keq

Nuk është e thënë se një mik/mikeshë të jetë i tillë përgjithmonë, veçanërisht kur ju mban të ankoruar në një të shkuar që nuk ju përfaqëson më. Jini të zgjuar edhe në këtë pjesë.

Përshpejtoni dhimbjen

Një periudhë vuajtjesh është e pashmangshme, sepse e kundërta do të ishte një gjë absurde. Ndaj pranojeni këtë gjë dhe mundohuni ta përshpejtoni.

Braktisni mendimet negative

Në vend që të bluani në mendje të shkuarën, përqendrohuni tek aspektet pozitive të së tashmes dhe nëse nuk keni të tilla, mendoni për projektet e së ardhmes.

Shkruajini ndjesitë

Për të harruar dikë që e keni dashur, shkruajini një letër (që nuk do t’ia dorëzoni kurrë). Jini të sinqertë dhe lëreni veten të lirë.

Mësohuni që ta vlerësoni vetminë

Vetëm nëse mësoni të vlerësoni momentet e vetmisë, mund t’i jepni vetes mundësinë për të pranuar një lidhje të re dhe të mbyllni një herë e përgjithmonë hesapet me të kaluarën.

Mos u takoni me miqtë e tij/saj

Të paktën vetëm për pak kohë, do të ishte e rastit që të shkëpusni të gjitha kontaktet, sidomos me miqtë e tij/saj. Sepse do të ishte e paevitueshme që të mos merrnit vesh ndonjë të re rreth ishit tuaj prej tyre. Më mirë mos të dëgjoni asgjë për të shkuarën, por as edhe të shihni. Këtu e kemi fjalën për rrjetet sociale. Bllokoni profilin e tij/saj.

Braktisni ndjesitë e fajit

Pas fundit të një marrëdhënieje, ndodh të ndiheni ndonjëherë të përfshirë nga ndjesitë e fajit. Ky është një reagim normal, por i padobishëm. Ndaj braktisini dhe përqendrohuni te jeta juaj e re.

Top Channel