Novoselë, banorët rikthehen për të rikuperuar dëmet

04/02/2015 00:00

Aktualisht në Novoselë situata është qetësuar, niveli i ujërave ka rënë, rruga automobilistike e vjetër, që lidh fshatin Mifol me urën e vjetër të Mifolit, është hapur dhe është e kalueshme, pasi të martën ishte e pamundur të kalohej me mjete të vogla në këtë aks.

Korrespondenti i Top Channel ne Vlore, raportoi se problem mbeten banesat që janë nën ujë; rreth 602 banesa në total janë prekur nga uji në Novoselë, ndërsa 80 prej tyre janë ende nën ujë. Ndërkohë, janë rreth 560 hektarë tokë të përmbytura nga uji. Në total janë evakuuar rreth 110 familje, që janë strehuar te fqinjët apo të afërmit, në ambiente të krijuara enkas për ta.

Situata vazhdon të jetë problematike, Shtabi i Emergjencave vazhdon të shpërndajë bukë, ujë dhe ushqime, sidomos në fshatrat Fitore dhe Bishan, ndërsa në këtë fshat është në aksion edhe Delta Forcë për evakuimin e 3 barinjve.

Sa i përket energjisë elektrike, ajo ende mungon në këto momente, pasi, si pasojë e reshjeve që bien papushim, banesat janë të rrezikuara nga lagështia. Herë pas here energjia shkëputet për të vetmen arsye, të shpëtohen banorët e rrezikuar të shtëpive që ndodhen nën ujë. Uji vijon të jetë i pranishëm, por jo me intensitetin e mëhershëm.

Një tjetër problem, siç raportohet, qëndron në argjinaturën e urës së Selevecit, pasi është afruar uji në kuotat maksimale dhe në qoftë se ajo çahet mund të krijojë probleme në afërsi të qytetit të Vlorës. Aktualisht këtu ndodhen forcat e emergjencës civile me kamionët e tyre, që po mbajnë nën monitorim këtë zonë. Edhe gjatë natës është punuar duke dërguar kamionë me dhera për të ruajtur këtë argjinaturë nga çarja.

Top Channel